Shuhet agjenti i CIA-s që frymëzoi filmin fitues të Oscar

Tony Mendez, agjenti i CIA-s është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ai u bë i njohur pasi mbi punën e tij u realizua filmi “Argo”, që ka fituar edhe çmimin Oscar.

Ai njihet për kontrabandimin e gjashtë diplomatëve amerikanë nga Irani gjatë krizës së pengjeve të periudhës 1979-1981. Në atë kohë, Mendez u paraqit si producent filmash për të realizuar misionin e tij. Agjenti i CIA vuante nga sëmundja e parkinsonit. Aktori i njohur Ben Affleck, i cili në film luajti rolin e Mendez, e ka konsideruar atë një hero të vërtetë amerikan.

“Ai kurrë nuk kërkoi që të ishte në qendër të vëmendjes me veprimet e tij, por thjesht i shërbeu vendit”, u shpreh Ben Affleck.

Ish-zv/drejtori i CIA Michael Morell ka thënë më herët se Tony Mendez ka qenë një nga agjentët më të mirë të CIA-s. I lindur në vitin 1940, Mendez pati një karrierë 25-vjeçare dhe ka shërbyer në shumë vende të huaja, kryesisht në Azi. Pas largimit nga CIA, Tony Mendez drejtoi një studio artistike.