Aktiviteti i bujshëm i strukturave udhëheqëse të Kuvendit të APTShM-së, dhe të dy partive politike shqiptare, përcillej në hap nga qarqet e atëhershme qeveritare. Ministria për Punë të Brendshme, përmes një shkrese konfideciale, njoftonte Qeverinë e R. Maqedonisë se dy partitë shqiptare, PPD dhe PDP, kohëve të fundit po mbajnë kontakte të shumta me krerët e “Alternativës kosovare” (LDK-së), nga të cilët marrin instruksione konkrete për aktivitetet e mëtutjeshme “për institucionalizimin dhe zyrtarizimin e mëtutjeshëm ndërkombëtar të autonomisë shqiptare”
Nga Qerim LITA
Një ditë më vonë, përkatësisht, më 15 shkurt 1992, Gjyliaz Fejzuallu përmes një letre, në emër të Kuvendit të APTShM-së i shprehte mirënjohjeje kongresistit amerikan Tom Lantosh “për angazhimin e tij dhe paraqitjen e Propozim Rezolutës në Kongresin Amerikan” lidhur me kërkesën për Autonominë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni. Me qëllim të aktualizimit dhe jetësimit të Autonomisë, udhëheqja e APTShM-së, gjatë muajve shkurt-mars 1992, zhvilloi një aktivitet të gjerë si në këndvështrimin politik poashtu edhe në atë informativ. Në suazat e këtij aktiviteti duhet veçuar botimin e një numri të konsiderueshme të informatave, vështrimeve, intervistave dhe shkrimeve të tjera në shtypin ditor e periodik si brenda hapësirës shqiptare poashtu edhe në botën e jashtme. Përveç kësaj, Kuvendi, më 12 mars, përmes një letre njoftonte dymbëdhjetëshen Evropiane, Lordin Karington, një numër të ambasadave të shteteve evropiane, ShBA-të, Turqinë dhe Shqipërinë “për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni dhe kërkesën për Autonomi Politike Territoriale”.
Në kuadër të aktivitetit për jetësimin e Autonomisë shqiptare, nuk duhet harruar qëndrimin disaditor në Gostivar të delegacionit të SHBA-ve, në përbërje: Josef Diogardi, Porkwist Grover, Stefan Wiliam, Osman Osmani dhe Xheksi Sadiku. Gjatë qëndrimit treditor (11-13 mars 1992), delegacioni zhvilloi bisedime të ndara me kryetarin e Forumin Demokratik për të drejtat e njeriut, Milaim Fejziun, me kryetarin e Kuvendit të APTShM-së, Gjyliaz Fejzullahun, me deputetët shqiptar: Neim Selmani, Zudi Bilalli dhe Ferit Sadiku, si dhe me kryetarët e dy partive politike shqiptare, Nevzat Halilin dhe Iliaz Halimin. Ardhja e serishme të Diogardit, sipas burimeve të kohës “lidhej ngushtë me internacionalizimin e autonomisë shqiptare”.
Një aktivitet të dendur asaj kohe pati edhe “Komisini për çështje strategjike, i cili ndryshe njihej edhe si “Komisioni për organizimin e njësive ushtarake”, me të cilin siç u tha më lartë udhëhiqte sekretari i përgjithshëm i PPD-së, Mitat Emini. Ky komision së shpejti rekrutoi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve, të cilët u dërguan në Shqipëri për stërvitje, ne mesin e tyre duhet përmendur: Nuri Bexhetin, Halil Palloshin, Sami Golajn, Halil Latifin, Sedat Osmanin, Fatmir Fejzullahun, Orhan ibrahimin, Naser Jakupin, Adem Maksutin, Samet Ibrahimin e shumë të tjerë. Stërvitja e tyre kryhej nën komandën e Adem Jasharit, i cili në Shqipëri kishte shkuar gjatë muajit nëntor të vitit 1991.
Aktiviteti i dendur i këtij komisioni përcillej në hap nga shërbimi i atëhershëm sekret UDB-ë. Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 shkurt 1992, njoftonte Qeverinë, për disa aktivitete, të cilat kohët të fundit ishin vërejtur në mesin e popullsisë shqiptare, për të cilat kjo ministri dyshonte se bëhet fjalë për krijimin e njësive paraushtarake:
“Sipas disa të dhënave të pakonfirmuara në mesin e popullsisë shqiptare këtyre ditëve po kryhen evidenca për persona me qëllim të formimit të njësive ushtarake të cilët si qëllim primar do ta kenë mbrojtjen e popullsisë shqiptare dhe të organizojnë rezistencë mbarkombëtare të popullsisë në territorin e autonomisë pas pranimit ndërkombëtar të saj dhe fillimin e funksionimit në rast se organet e pushtetit të R. së Maqedonisë do të përpiqen të ndërmarrin çfarëdolloj masash represive ndaj popullsisë shqiptare në territorin e saj”.
Po i njëjti burim, në mars të vitit 1992 përmes një informate konfidenciale, njoftonte Qeverinë e Maqedonisë, për një organizim ushtarak të shqiptarëve në Maqedoni, i cili veçmas kishte ardh në shprehje “pas realizimit të referendumit për autonomi politike e kulturore të shqiptarëve në R. Maqedonisë”. Në të veç tjerash thuhej: “Sipas njohurive të verifikuara, nga na e udhëheqjes së PPD-së dhe anëtarëve ekstrem të kësaj partie, është krijuar ushtria kombëtare shqiptare, me shtabin e përgjithshëm (komisioni strategjik i PPD-së për mbrojtje) dhe ‘shtabet ushtarake’ nëpër qytete ku jetojnë qytetarët e nacionalitetit shqiptar. Në kuadër të shtabeve janë krijuar edhe ‘komisione’ të veçanta të cilët punojnë në përgatitjen e planeve konkrete për aktivitetin e të njëjtëve. Udhëhiqet evidenca ndaj obliguesve ushtarak – persona të cilët pranojnë të radhiten në ushtrinë kombëtare të shqiptarëve, me qëllim që të mund të mobilizohen me kohë”. Gjithnjë sipas këtij burimi, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, e udhëhiqte Mi’that Emini, ndërsa Naxhi Ahmeti, ishte zgjedhur koordinator i përgjithshëm për organizimin dhe për formën e vendosjes së ushtrisë dhe drejtuesit e shtabeve ushtarake të qyteteve të pjesës Perëndimore të R. Maqedonisë edhe atë: për Shkup: Ismet Shabani, Hysen Haskaj, Ismet Berisha, Muhamet Demiri dhe Fatmir Stavileci: për Tetovë – Shinasi Rexhepi, Abdylvehap Ismaili dhe Ilir Luma, për Gostivar – Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Samet Huseini, Sejdali Saliu dhe Zudi Bilalli, për Kërçovë – Sejdi Abazi, për Dibër – Eugen Cami dhe Petrit Fetahu, për Kumanovë – Arif Seferi dhe Naim Ibrahimi, ndërsa për aktivitetet në botën e jashtme – koordinator të përgjithshëm ishin zgjedhur: në Gjermani Vehap Memishi dhe në Zvicër Shaip Bilalli dhe Xhemail Rexhepi.
Një ngjarje tjetër me peshë historike për shqiptarët në përgjithësi, e për shqiptarët e Shkupit në veçanti, paraqet ardhja e Adem Jasharit dhe grupit të tij në këtë qytet të lashtë shqiptar. Në intervistën e kryer me Ismet Shabanin-Shkupi, kjo ngjarje ka ndodh në dhjetor të vitit 1992 kur forcat ushtarak-policore serbe sulmuan kullat e Jasharajve. Sipas tij, Adem Jashari së bashku me Fadil Kodrën, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, Iliaz Kodrën, Jakup Nurën, nën përcjelljen e Milazim dhe Bajram Çiçavicën, vendosen në Shkup në shtëpinë e Ismet Shabanit. Gjatë kohës përderisa Adem Jashari dhe grupi i tij qëndroi tek ai, krejt rastësisht ka ardhur Muj Krasniqi, i cili me ta ka zhvilluar një bisedë të shkurtë dhe më pas është nda nga ata. Për çështje sigurie, Adem Jashari me grupin e tij ishte dashur të qëndrojë plotë 11 ditë te shtëpia e Ismetit, që më pas nën përcjelljen e tij (Ismet Shabanit), kanë udhëtuar për në Dibër të Madhe dhe nga atje ilegalisht e kanë kaluar kufirin për t’u vendosur në shtetin shqiptar. Është me rëndësi të theksohet se edhe kthimi i Adem Jasharit për në Kosovë është kryer përmes Dibrës së Madhe, të cilin organizim gjithashtu e ka udhëheq Ismet Shabani.
Aktiviteti i bujshëm i strukturave udhëheqëse të Kuvendit të APTShM-së, dhe të dy partive politike shqiptare, përcillej në hap nga qarqet e atëhershme qeveritare. Ministria për Punë të Brendshme, përmes një shkrese konfideciale, njoftonte Qeverinë e R. Maqedonisë se dy partitë shqiptare, PPD dhe PDP, kohëve të fundit po mbajnë kontakte të shumta me krerët e “Alternativës kosovare” (LDK-së), nga të cilët marrin instruksione konkrete për aktivitetet e mëtutjeshme “për institucionalizimin dhe zyrtarizimin e mëtutjeshëm ndërkombëtar të autonomisë shqiptare”. Me qëllim të kryerjes sa më profesionale dhe sa më parë të punëve rreth zyrtarizimit përfundimtar të “Autonomisë shqiptare në Maqedoni, – thuhej në informatë – si dhe përgatitjen e materialit në lidhje me kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës më datë 15 shkurt 1992 në Gostivar, nga Kosova kanë arritur Esad Stavileci, Zejnulla Gruda dhe dy profesor tjerë nga Prishtina, të cilët në Gostivar duhet të realizojnë kontakt me Gjyliaz Fejzullahun, Neim Selmanin, Mitat Eminin, Nevzat Halilin dhe Iliaz Halimin”. Ky grup i profesorëve, siç bënte me dije informata “duhet ta përgatis edhe Projekt-Kushtetutën e Autonomisë”, dhe se pas hartimit përfundimtar të këtyre dokumenteve “për ta duhet të njoftohet Bashkësia Evropiane me qëllim të kryerjes së presionit për mospranimin e shtetësisë së R. Maqedonisë”. Në fund të informatës, jepej vlerësimi i MPB-së, ku thuhej tekstualisht:
“Sipas vlerësimit tonë, aktivitetet e tilla të separatistëve dhe shovinistëve shqiptarë për ‘institucionalizimin’ dhe ‘zyrtarizimin ndërkombëtar’ e të ashtuquajturës ‘autonomi shqiptare’ janë në kuadër të aktiviteteve të përgjithshme të pjesëtarëve ekstremistë të partive njënacionale shqiptare për ndryshimin e kufijve të R. Maqedonisë, si pjesë e strategjisë globale për krijimin e shtetit të madh shqiptar në Ballkan, që përbën sulm të drejtpërdrejt ndaj rregullimit kushtetues të R. Maqedonisë”.
Menjëherë pas kësaj informate, qarqet shoviniste maqedonase, të instaluar brenda qeverisë së atëhershme, nëpërmjet mjeteve të informimit në gjuhën maqedonase e filluan një fushatë të gjerë, e cila për qëllim pati përçarjen e strukturës politike shqiptare. Kësaj fushate iu bashkëngjit edhe Kiro Gligorovi, i cili së shpejti për këshilltar të tij personal, emëroi disa funksionarë të lartë të regjimit të mëparshëm me prejardhje shqiptare, të cilët dolën me tezën se “kërkesa për autonomi”, nënkupton se “shqiptarët me vetëdëshirë e pranojnë statusin e pakicës nacionale”, prandaj, ajo si e tillë “duhet të hidhet poshtë”, dhe njëherit të shkohet me kërkesën “elementit konstituiv”, përkatësisht “shqiptarët, krahas maqedonasve të jenë element shtetformues të Maqedonisë”. Njëri prej tyre, madje shkoi aq larg, saqë të merr guximin që para anëtarëve të Kuvendit Qendror të PPD-së, punimet e të cilit u zhvilluan në pranverë të vitit 1992 në Shkup:
“Interesi strategjik i shqiptarëve është që Maqedonia të shkëputet nga Serbia, prandaj ne duhet ta pranojmë pavarësinë e këtij shteti e të insistojmë që shqiptarët në këtë shtet të pavarur, së bashku me maqedonasit të jenë element konstituiv”.
Pikërisht, kjo deklaratë, përkundër faktit se doli nga goja e një njeriu, i cili në atë moment nuk përfaqësonte asnjë forum të asaj partie, apo të ndonjë shoqate joqeveritare shqiptare, krijoi huti brenda strukturës udhëheqëse të PPD-së. Nga procesverbali i mbledhjes së zgjeruar të Kryesisë Qendrore të kësaj partie, punimet e së cilës u zhvilluan 24 prill të vitit 1992 në Tetovë, informohemi se pjesa më e madhe e deputetëve dhe të ministrave shqiptar u distancuan nga shpallja e Autonomisë, dhe në fjalimet e tyre kërkuan të hedhet poshtë kjo ide, dhe të shkohet, siç do të shprehen “në një opsion më të pranueshëm” për palën maqedonase, e që sipas tyre është “kërkesa për barazi të plotë të shqiptarëve me maqedonasit”. Kundër këtij opsioni doli shumica dërmuese e anëtarëve të Kryesisë, si dhe një pjesë e deputetëve, të cilët theksuan se “kërkesa për shpalljen e Autonomisë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedonisë, përbën një obligim kombëtar i shprehur në mënyrë plebishitare në Referendumin e 11 dhe 12 janarit”.
Rrjedhimisht, kjo ide e shpikur nga qarqet qeveritare maqedonase, e cila si qëllim parësor, pati përçarjen brenda strukturës udhëheqëse shqiptare, e cila asaj kohe ishte e bashkuar si asnjëherë më parë, u reflektua edhe brenda anëtarëve të Kuvendit të APTShM-së. Në Informatën e zgjeruar të Komisionit për Informim të APSHM-së, në lidhje me punën dhe aktivitetin njëvjeçar të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, vihej në dukje se “ngadalësimi i aktivitetit të Kuvendit”, filloi që në mbledhjen e zgjeruar të datës 30 prill 1992, në të cilën përveç anëtarëve të Kuvendit kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të dy partive politike shqiptare, në të cilën është debatuar për projekt dokumentet: “Propozimi për ngritjen e iniciativës për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë” dhe “Vazhdimësia e elementit shqiptar në Maqedoninë e sotme”, për të cilët u bë fjalë më lartë. Në mbledhje për herë të parë në sipërfaqe dolën mendime të ndara për atë se a duhet shkuar në këtë moment “në jetësimin e Autonomisë ose edhe më tutje të vazhdohet me kërkesën për shtetformues” dhe për rrjedhojë, në mbledhjen e Kuvendit u vendos të zhvillohen konsultime me ekspertët. Një ditë më pas, një delegacion i Kuvendit i udhëhequr nga kryetari Gjyliaz Fejzullahi i shoqëruar edhe nga përfaqësues të lartë të dy partive të atëhershme politike shqiptare, udhëtuan për në Prishtinë me ç’rast zhvilluan një bisedë me ekspertët e njohur shqiptar të fushës juridike, siç ishin: Esad Stavileci, Gazmen Pula, Zejnulla Gruada e tjerë, të cilët shprehën bindjen e tyre se, nuk ka kohë për pritur, porse duhet shkuar urgjentisht në “jetësimin e Autonomisë”. Ata, veç tjerash delegacionit të APTShM-së, i sugjeruan që “të përgatitet një kërkesë” e cila do të bazohej në tekstin e projekt dokumentin për jetësimin e Autonomisë, të cilën deputetët shqiptarë duhej t’ia dorëzonin kryetarit Kiro Gligorov.
Nga të dhënat e burimeve autentike të APSHM-së, të cilat me përkushtim janë ruajt nga kryetari i saj, i ndjeri Gjyliaz Fejzuallau, provojnë se sugjerimet e ekspertëve shqiptarë nga Kosova, fare nuk u morën parasysh nga kryesitë e dy partive politike shqiptare, të cilat, në ndërkohë, hartuan kërkesën, drejtuar Parlamentit, ku kërkohej që “shqiptarëve t’u njihet statusi i shtetformësisë”. E njëjta edhe pse u paralajmërua në një konferencë për shtyp, nuk iu dorëzua Parlamentit, ndërsa kërkesa e rekomanduar nga ekspertët, nuk u përgatit fare.
Pikërisht nga ky moment filloi tatëpjeta e jetësimit të Autonomisë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, për arsye se partitë politike shqiptare, në radhë të parë Partia për Prosperitet Demokratik, si parti e cila përfaqësonte mbi 90% të elektoratit shqiptar, fare nuk u angazhua në krijimin e kushteve për vazhdimin e punës së Kuvendit, nuk themeloi fondin financiar të tij, dhe për rrjedhojë ideja për jetësimin e APTShM-së u shua fare. E gjithë kjo krijoi pakënaqësi dhe huti tek shqiptarët. Shumë degë të PPD-së si brenda ashtu edhe në botën Perëndimore, përmes reagimeve dhe protestave të shkruara, kërkonin sqarim se “përse ngecin aktivitetet rreth jetësimit të Autonomisë”. Pyetje të kësaj natyre, thuhet në një dokument të hartuar nga Kuvendi i APTShM-së “shtrohen si në kohë ashtu edhe në hapësirë”, si nga qytetarët ashtu edhe nga asociacione apo subjekte të ndryshme, për çka “me plotë përgjegjësi – thuhej në fund të dokumentit – konsiderojmë se përgjigje duhet të japin dy partitë politike PPD-ja dhe PDP-ja, me grupin parlamentar në Krye”.
Heqja dorë nga jetësimi i Autonomisë, u shfrytëzua maksimalisht nga pushteti i atëhershëm maqedonas, i cili së shpejti morri masa represive ndaj popullsisë shqiptare në përgjithësi, e te një pjesë e strukturës udhëheqëse shqiptare në veçanti, siç ishin rastet në Bit Pazar, Ladorisht, Afera e Armëve etj.
Këtë vështrim të shkurtë historik, kushtuar çështjes shqiptare në trevat etnike në R. Maqedonisë, midis harkut kohor 1990-1992, e pash të arsyeshme ta përfundoj duke iu referuar një pjese të intervistës së kryetarit historik të Kuvendit të APShM-së, intelektualit dhe atdhetarit të devotshëm, të ndjerit Gjyliaz Fejzullahu, dhënë gazetarit të gazetës Bujku – Prishtinë, Ismail Arsllanit, me rastin e njëvjetorit të Referendumit për themelimin e Autonomisë shqiptare në këto treva etnike:
“Besoj se për këtë nuk duhet menduar shumë. Dihet mirëfilli se cilat janë përparësitë e statusit shtetformues. Shtrohet pyetja: cilat janë argumentet që kjo të realizohet. Pushteti maqedonas nuk është aq naiv që më shumë reagon kur përmendet referendumi e autonomia, kurse më pak kur fjala për statusin e shtetformuesit. Sa i përket Autonomisë Politike-Territoriale, mund t’i potencoj qëndrimet e ekspertëve. Elementi shtetformues – po, mirëpo pa mekanizëm mbrojtës (konsensus) nuk do të ishte asgjë, kurse element shtetformues pa territor të caktuar, përkatësisht Autonomi, nuk mund të ketë”. (fund)