Dy tenderë për dy kilometrat e parë të rrugës Shkup-Bllacë, njëri për mbikëqyrës dhe tjetri për fillimin e punëve, pritet të publikohen deri në fund të këtij muaji, për kur ishte planifikuar veçmë nisja e punimeve. Makineritë, siç parashohin procedurat, në terren mund të dalin në fund të vitit. Zëvendëskryeministri Osmani arsyetohet se shpimet gjeoteknike kanë treguar dilema në fortësinë e tokës
Zejnulla VESELI
Shkup, 3 qershor – Dy kilometrat e parë të autostradës nga vendkalimi kufitar Bllacë drejt qarkores në Shkup janë para publikimit në dy tenderë të veçantë. Njëri nga tenderët, sipas Agjencisë Shtetërore për Rrugë, është për kompaninë, e cila do të mbikëqyrë punimet gjatë ndërtimit të dy kilometrave, ndërsa tenderi i dytë është për kompaninë që do të shpreh interesim për ndërtimin e rrugës Bllacë-Shkup, shkruan gazeta KOHA. Me këto dy tenderë të veçantë, që procedurat mendohet të përfundojnë në fund të korrikut, në fakt bëhet shtyrje pafund për autostradën 12 kilometërshe.
“Tenderi për mbikëqyrjen e punimeve ndërtimore është publikuar në shkurt dhe në muajin qershor është përzgjedhur kompania, e cila do të mbikëqyr punimet ndërtimore për dy kilometra e parë të autostradës Shkup-Bllacë. Tenderi për kompanitë që do të shprehin interesim për ndërtimin e 2 kilometrave rrugë ende nuk është publikuar. Projekti bazë është gati, por për momentin ende është në revizion, sepse sipas ligjit për ndërtim, i njëjti duhet të revidohet. Sapo të marrin raport pozitiv të revidimit, deri në fund të muajit korrik do të shpallim tender”, thonë për KOHA nga Agjencisë Shtetërore për Rrugë. Ndërkaq sa i përket 10 kilometrave të tjerë, projektimi tashmë ka nisur, megjithëse nuk ka datë të saktë kur i njëjti do të përfundojë.
“Të kuptohemi tenderi që do të publikohet në muajin korrik është vetëm për ndërtimin fazës së parë të rrugës Shkup-Bllacë, gjegjësisht për dy kilometrat e parë. Ndërsa për fazën e dytë, në gjatësi prej 10 kilometrave, është në përgatitjen e sipër projekti bazë dhe sipas të gjitha parashikimeve, duhet të jetë gati diku nga fundi i muajit mars vitin e ardhshëm”, thonë nga Agjencisë Shtetërore për Rrugë. Në pyetjen se çfarë ndodh nëse asnjë kompaninë nuk shpreh interes në tenderin për ndërtimin e dy kilometrave, nga Agjencisë Shtetërore për Rrugë shpresojnë se interes do të ketë, pasi “e njëjta kompani mund të konkurrojë edhe në tenderin e dytë për ndërtimin edhe të 10 kilometrave tjera të autostradës Bllacë-Shkup”.
“Presim që kompania që do të këtë ofertën më të volitshme në tenderin e parë nga fundi i këtij viti të fillojë më ndërtimin e kilometrave të parë. Kjo varet nga interesimi i kompanive që do shprehin interes nëse do të marrin pjesë në tender. Në muajin mars vitin e ardhshëm do të shpallet dhe tenderi i dytë, pasi të kemi gati projektin final për ndërtimin e 10 kilometrave tjera. Në këtë tender mund të paraqiten kompani tjera, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të paraqitet e njëjta kompani që ka fituar tenderin e parë, gjegjësisht fazën e parë të ndërtimit të 2 kilometrave. Me këtë, nëse punët zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, kilometrat e parë të rrugës Bllacë-Shkup do të jenë gati në afat prej 18 muajve apo në fund të vitit 2021”, thonë nga Agjencia Shtetërore për Rrugë, duke shtuar se nëse respektohen afatet e ndërtimit, atëherë pjesa e dytë e ndërtimit të rrugës prej 10 kilometrave tjerë do të zgjatë 36 muaj.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherazi i angazhuar për realizmin final të ndërtimit të kësaj autostrade, informon se punimet në terren do të nisin pasi të shpallet tenderi i parë, i paraparë të ndodhë deri në fund të këtij muaji.“Për shkak se njëri prej shpimeve gjeoteknike tregoi dilema në fortësinë e tokës (në 35 metra thellësi është gjetur bazë e fortë), Fakulteti i Ndërtimtarisë si revident i projektit, kërkoi shpime të reja, të cilat e vonuan shpalljen e tenderit. Por tani që përfundoi analiza laboratorike e mostrave të tokës, presim që reviduesi së shpejti ta aprovojë projektin dhe brenda kësaj kohe, të shpallet tenderi i pjesës së parë”, thotë Osmani. Për 10 kilometrat e mbetura, Osmani shprehet se pjesa e dytë kërkon tender të ri meqë është me burime tjera të financimit. “Pjesa e parë është me mjete të buxhetit, kurse pjesa e dytë me kredi nga BERZH-i dhe grant nga WBIF. Të premten në Poloni presim që në kuadër të procesit të Berlinit, të na aprovohen 24 milionë euro grant për rrugën Shkup-Bllacë”, thotë zëvendëskryeministri Osmani. (koha.mk)