Shkup, 26 nëntor – Gjykimi për rastin e 27 prillit është anuluar sepse i akuzuari Munir Pepiq gjendet në seancën gjyqësore për lëndën “Titanik” të PSS ku gjithashtu është një prej të akuzuarve.
Me vonesë prej 40 minutave, këshilli gjyqësor për rastin e 27 prillit u fut në gjykatë, ndërsa gjykatësja Dobrilla Kacarska u kërkoi falje të pranishmëve.
“Edhe pse këto terminë për gjykim janë caktuar që në muajin shtator, për shkak të moskoordinimit në gjykatë ka ndodhur që në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin termin të mbahet seancë për lëndën ku si i akuzuar është paraqitur Munir Pepiq”, u shpreh Kacarska.
Ajo theksoi se që më herët janë caktuar shumë seanca në lidhje me rastin e të enjtes së përgjakshme sepse bëhet fjalë për lëndë aktuale në të cilën ka të akuzuar që tash më gjenden në arrest.
Gjykimi duhet të vazhdojë nesër me prezantimin e dëshmive të mbrojtjes. Pritet që të dëshmojnë dy dëshmitarë me propozim të deputetit Krsto Mukoski.