Shkup, 25 maj – Mungesa e kuorumit ishte shkaku që Këshilli i Prokurorëve Publik të enjten për të disatën herë me radhë e prolongoi seancën. Gjatë kësaj seance të prokurorëve po ashtu duhej të zgjidhen dy prokurorë për në Prokurorinë e Lartë shtetërore. Ndërkohë, shumica e prokurorëve që kanë prezantuar në këtë mbledhje njëzëri janë shprehur se për vazhdimin e kësaj seance nuk ka kushte dhe për të njëjtën duhet të prite formimi i Qeverisë së re. Për shtyrjen e seancës për zgjedhjen e prokurorëve pro votuan pesë prokurorë, ndërsa katër ishin kundër. Kryetari i KPP-së, Petar Anevski, u shpreh se gjatë kësaj periudhe përzgjedhja e prokurorëve të ri dhe shkarkimi nuk lejohet me ligj. Sipas tij, insistimi i Këshillit që me çdo kusht të zgjedhë prokuror të ri e arsyetoi me gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden prokuroritë, në radhë të parë Prokuroria e Lartë. Mes tjerash, ai shtoi se me mungesë të prokurorëve përballet edhe prokuroria republikan dhe jo vetëm Prokuroria e lartë. Ndryshe, i pyetur se kur në rend të ditës do të vendosen rastet për “Puç”-in dhe “Sopotin”, kryetari i KPP-së, Anevski deklaroi se janë në pritje të sigurimit të certifikatave të sigurisë, për shkak se vetëm dy prokurorë për momentin disponojnë me këto dokumente. Nga ana tjetër, ai refuzoi t’i komentojë kualifikimet juridike të prokurorisë së Shkupit, në drejtim të asaj se vallë veprat për të cilat paditen të dyshuarit janë të në përputhje me veprimet reale që turma i ka ndërmarrë me datë 27 prill ose jo. Ai vetëm tha se nuk ka qasje në lëndët e përmendura, por megjithatë Anevski nuk dha vlerësim edhe për xhirimet të cilët se fundmi janë publikuar dhe në të cilën shihen deputet e VMRO DPMNE-së se si i hapin dyert e Parlamentit.