Shkup, 4 dhjetor – Restaurimi dhe kthimi në muze i shtëpisë së Halim Bej Derrallës, djalit të Mehmet Pashë Derrallës në Tetovë, do të zgjasë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkohë që Qendrës Nacionale të Konservimit që po realizon këtë projekt do t’i duhet që brenda këtyre muajve të zgjidhë çështjet e barakave që janë në oborrin e këtij objekti, si edhe shndërrimin në muze. Drejtori Memet Selmani, thotë se këto ditë do të formojnë komisionin që do të përgatisë elaboratin, ndërsa për çështjen e barakave, që funksionojnë në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit nuk dihet se kur do të zhvendosen. “Besoj se gjatë vitit të ardhshëm muzeu duhet të jetë gati. Ka pasur vonesa gjatë projektit restaurues dhe konservues për shkak të gjendjes së tij dhe situatave të paparashikuara që kanë dalë. Është një objekt i rrallë nga aspekti arkitektonik, por edhe historik prandaj edhe gjatë gjithë kohës është treguar kujdes maksimal”, thotë Selmani. Sa i takon komisionit, ai duhet të formohet këto ditë dhe një prej emrave që do të jenë pjesë e tij, është historiani Zeqirja Idrizi. Duke folur për mënyrën sesi do të konceptohet i tërë muzeu, Idrizi thotë se pasqyra për veprimtarinë e Derrallava dhe kontributin e tyre nuk mund të jetë e plotë pa krijuar lidhjen me paraardhësit e tyre dhe Teqenë Arabati. “Muzeu do të kompletohet me materiale, fotografi, e të tjera që i kemi nga pasardhësit e Halim Derrallës, dokumente për të cilat do të duhet t’i marrin nga Muzeu i Pavarësisë në Vlorë… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.