Një pjesë e sindikatave në vend druajnë se do të rritet kostoja e jetesës për punëtorët, ndërsa përfaqësues të sektorit të biznesit thonë se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të sjellë edhe shtrenjtimin e më shumë prodhimeve të tjera
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 gusht – Me vendimin e fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, faturat e shtatorit do të jenë më të shtrenjta për 7.5 për qind për amvisëritë. Një pjesë e sindikatave në vend druajnë se do të rritet kostoja e jetesës për punëtorët. Nga Sindikata e pavarur e ndërtimtarisë dhe tregtisë kanë kundërshtuar një rritje të tillë të rrymës, e cila sipas tyre do të godasë edhe xhepin e qytetarëve. “Shtrenjtimi i paralajmëruar i energjisë elektrike në fakt do të jetë afër 9 për qind apo 8.73 për qind nëse e llogarisim edhe vlerën e Tatimit të Vlerës së Shtuar. Njëherësh në 14 vitet e kaluara, rryma është shtrenjtuar 230 për qind”, thotë Atanas Trajkovski, kryetar i kësaj sindikate. Sipas tij, me shtrenjtimin e fundit po anulohet edhe rritja e fundit e pagës minimale prej 14.500 në 14.930 denarë. Nga Sindikata shtojnë më tej se në vitin 2007, tarifa e lirë e rrymës ishte 1.20 denarë për kilovat orë në raport me tarifën e shtrenjtë prej 2.40 denarë. Në vitin 2011, tarifa e lirë ishte 1.76 denarë për kilovat orë, ndërsa tarifa e shtrenjtë ishte 3.52 denarë. Nga viti 2006 deri në vitin 2011 kishte shtrenjtim prej gati 150 për qind. Në vitet 2018, 2019 dhe 2020, çmimi i tarifës së lirë ishte 2.70 denarë për kilovat orë në raport me tarifën e shtrenjtë prej 5.54 denarë. Njëherësh, në këtë çmim hyn edhe fuqia e angazhuar prej 33 për qind. Me fjalë të tjera, në 14 vitet e kaluara është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për 230 për qind apo për 2.3 herë. Trajkovski shton më tej se pret që shtrenjtimi i rrymës të tërheq edhe rritjen e produkteve themelore ushqimore si buka, qumështi,vezët etj. Edhe përfaqësues të sektorit të biznesit thonë se rritja e çmimit të energjisë elektrike mund të sjellë edhe shtrenjtimin e më shumë prodhimeve të tjera.
“Përkundër faktit se rryma po shtrenjtohet për amvisëritë dhe jo për industrinë , mund të ndodhë që një pjesë e konsiderueshme e kompanive të shfrytëzojnë këtë si arsyetim për të shtrenjtuar prodhimet e tyre”, thotë afaristi Menderez Kuçi, Sipas tij, rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është e arsyeshme dhe sipas tij, nuk bëhet fjalë për harxhime që nuk mund ti përballojnë kompanitë energjetike. Edhe përfaqësues të tjerë të biznesit nuk mirëpresin shtrenjtimin e energjisë elektrike. “Në një periudhë kur kemi lëshime nga puna dhe shkurtime të pagave, kur kishim rritje të akcizës së karburanteve dhe rritje të mundshme edhe të ngrohjes, kjo do të jetë një harxhim i madh për qytetarët dhe biznesin. Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të prodhimeve, do të rrisë inflacionin dhe do të zvogëlojë edhe konsumin”, thotë kryetari i Konfederatës së Biznesit, Mile Boshkov.
Edhe Organizata e Konsumatorëve e ka kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike, në kushtet kur qytetarët janë të goditur rëndë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e Kovid-19. “Në këtë situatë krize, një numër i madh i konsumatorëve jo vetëm që kanë probleme me shëndetin, por vjen në shprehje edhe siguria e tyre ekonomike, për shkak se një numër i madh i tyre e kanë humbur punën. Përllogaritjet e rritjes së çmimit të rrymës, mbi të gjitha duhet të bazohen në nevojën për uljen e harxhimeve fikse dhe operative të kompanive energjetike që nuk duhet të subvencionohen nga konsumatorët me qëllim q ato të vazhdojnë të punojnë në mënyrë joefikase”, vlerësojnë nga Organizata e Konsumatorëve. Në ndërkohë, Komisioni Rregullator thonë se të gjithë kompanitë elektro-energjetike kanë kërkuar shtrenjtim të rrymës si rrjedhojë e krizës me koronavirusin, ku Elektranat e Maqedonisë apo “ESM”, kanë ulje të të hyrave nga shitja e tepricës së rrymës prej 17 milionë euro, ndërsa sistemi i përçimit apo “MEPSO”, ka humbje të të ardhurave prej 11 milionë euro. Do të kërkohet nga qeveria e ardhshme ulje e TVSH-së për rrymë prej 18 në 5 për qind dhe rritje e subvencioneve për kategoritë e prekura. Nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë se shtrenjtimi i rrymës ka të bëjë vetëm me amvisëritë dhe nuk do të pasqyrohet në kompanitë prodhuese që nuk pritet të shtrenjtojnë prodhimet e tyre. Bile çmimi për energjinë elektrike për industrinë është liruar. Nga atje shtojnë se çmimin e rrymës për industrinë nuk e rregullojnë ato si rregullator, për shkak se tregu është i liberalizuar ndërsa trendet në bursën e rrymës kanë sjellë fatura më të ulëta për industrinë në mesatare edhe deri në 30 për qind , prej kohës kur tregu është liberalizuar. Në ndërkohë, ish kryetari dhe një nga themeluesit e Lidhjes së Odave ekonomike, Venko Gligorov, ka ripërsëritur kërkesën e tij të vjetër për ndryshimin e metodologjisë për formimin e çmimit, për shkak se në të nuk janë inkuadruar më shumë veçori të rëndësishme që ekzistojnë në shtete të tjera. Tek ne mungojnë karakteristikat si kënaqësia e konsumatorit, ndërsa mënyra e përllogaritjes së harxhimeve nuk është e rregulluar mjaftueshëm, kështu që dikush mund të fryn çmimet e harxhimeve që më vonë të kërkojë shtrenjtimin e rrymës, ngrohjes dhe energjenseve të tjera vlerëson Gligorov.
“E domosdoshme është një metodologji e re që do ti përgjigjet shërbimeve që ofrojnë kompanitë dhe nevojave të myshterinjve dhe standardit .Nëse bëhen krahasime, duhet të krahasohet edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmimet e energjenseve”, shton më tej Gligorov. Sipas tij, që atëherë e këndej kemi një liberalizim të caktuar të tregut. Ndryshe , për çmimin jo të lirë të rrymës në Maqedoni flasin edhe analizat që tregojnë se një megavat orë rrymë tek ne kushton 19.1 për qind e pagës mesatare, në Kroaci kjo vlerë është 16.6 për qind, në Slloveni është 14 për qind, në Gjermani është 11.7 për qind dhe në Austri është 7.5 për qind. (koha.mk)