Shtrenjtohet edhe transporti

Kompanitë e transportit ankohen se me koston kaq të lartë të derivateve të naftës e kanë mjaft të vështirë të mbijetojnë, andaj edhe pritet shtrenjtimi i transportit me autobusë

 

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 4 qershor – Rritja e çmimeve të derivateve të naftës në vend po shënon shifra rekorde. Pas anulimit të masave anti krizë, apo skadimit në fund të muajit maj të uljes së caktuar së akcizës dhe Tatimit të Vlerës së Shtuar për derivatet e naftës, ato janë rritur në mesatare për afër 8 për qind. Kur kësaj i shtohen edhe dy shtrenjtimet e fundit për dy ditë, në fund del se çmimi i benzinës 95 ka arritur rekordin historik prej 107 denarë për litër, ndërsa ai i euro dizelit ka arritur në 99,50 denarë për litër. Bile nafta e automjeteve dhe mjeteve të tjera transportuese është shtrenjtuar prej 46.5 denarë në mars të vitit 2020 në gati 100 denarë për litër.

Advertisements

Në ndërkohë, kompanitë e transportit të kamionëve dhe autobusëve ankohen se me koston kaq të lartë të derivateve të naftës e kanë mjaft të vështirë të mbijetojnë, andaj edhe pritet shtrenjtimi i transportit me autobusë. “Duke marrë parasysh një rritje kaq të madhe të çmimeve të karburanteve të naftës, është e pamundur që transportuesit edhe më tej të vozisin me çmimet e tanishme, andaj mund të presim shtrenjtime prej 15 deri 20 për qind, mirëpo çdo kompani e transportit për këtë vendos në mënyrë individuale”, thotë menaxheri i Stacionit të Autobusëve në Shkup, Masar Omeragiq.

Transportuesit disa muaj më parë kanë kërkuar nga kompetentët që t’i ndihmojnë për të kapërcyer situatën e vështirë, mirëpo akoma nuk ka përgjigje për kërkesat e tyre.

Shoqatat e transportuesve vlerësojnë se shteti duhet të ndihmojë këtë sektor me uljen e caktuar të akcizave, me tatimet ekologjike, duke ndjekur edhe shembujt e shteteve të rajonit që mundësojnë kthimin e një pjese të akcizës, si dhe me subvencionet për shoqëritë tregtare për çdo litër apo denarë sipas shembujve evropian.

Nga Shoqata Makamtrans thonë se rritja e energjenseve në përgjithësi përbën ndikim më të madh ndaj kompanive të transportit, për shkak se harxhimi për karburant merr pjesë me 40 deri 60 për qind në çmimin e transportit, që në mënyrë shtesë por vështirësohet me gjendjen e luftës në Ukrainë dhe konkurrencën e madhe të kamionëve të zbrazët në tregun evropian transportues.

Kërkohet që shteti së paku të ulë akcizën apo të mundësojë kthimin e një pjesë të akcizës prej një denarë për litër karburant që transportuesit vendor të mund të kthejnë në mënyrë reciproke këto mjete në shtete ku praktikohet diçka e tillë dhe ku ne transportojmë mallra.

Aktualisht këtë masë për kthimin e të hollave e realizojnë vetëm shfrytëzuesit vajit të gazit për ngrohje, ndërsa të tjerët nuk mund të kthejnë këto mjete as në vendin e tyre dhe as jashtë shtetit. Nga ana tjetër, për dallim prej rritjes së çmimit të taksi shërbimeve në disa qytete në vend si Manastiri, Ohri etj, në Shkup aktualisht nuk po shqyrtohet diçka e tillë nga ana e qytetit të Shkupit, por edhe nga ana e bizneseve. Në fund të vitit të kaluar taksi kompanitë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut kanë anuluar lirimet e caktuara për vozitje, me çka është shtrenjtuar taksi në Shkup. Ndryshe, lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, dhe tronditjet në tregjet ndërkombëtare kanë shtrenjtuar naftën në të gjithë botën. Kësaj jave në bursa nafta është shitur edhe me 115 dollarë fuçi, mirëpo pritet që rritja e paralajmëruar e prodhimit nga anëtaret e OPEK në radhë të parë Arabia Saudite, të zbusë çmimin e lartë të naftës që do të pasqyrohet gradualisht edhe në vendin tonë.

Nga vjeshta, rritja apo zbutja e çmimeve të naftës pritet të ketë ndikim më të madh të mundshëm ndaj shtrenjtimeve të reja, por edhe ndaj rëndimit ndaj buxheteve familjare. (koha.mk)