Derisa Kosovës po i shtohen humbjet, Albert Bunjakit secilën herë e më shumë po i shtohet presioni. Dorëheqja e përzgjedhësit po kërkohet edhe pas humbjes nga Islanda. Kësaj here presion po i bëhet edhe Federatës së Futbollit të Kosovës, nga e cila po kërkohet shkarkimi i Bunjakit . Përfaqësuesja kosovare, e cila deri më tani në kampanjën kualifikuese për botërorin “Rusia 2018” i ka regjistruar katër humbje karshi vetëm një barazimi. Sa herë që po pëson humbje Kosova adresë e kritikave po bëhet Albert Bunjaki, prej të cilit tifozët dhe analistët kërkojnë dorëheqje.
E njëjta po ndodh edhe pas humbjes së pësuar të premten nga Islanda me rezultat 1:2. Por, më së shumti jehonë ka bërë deklarata e Bekim Haxhiut. Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga Bunjaki të japë dorëheqje, në të kundërtën i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës që ta shkarkojë trajnerin, të cilin FFK-ja e kishte emëruar përzgjedhës kur edhe vetë Haxhiu ishte nënkryetar i shtëpisë së futbollit kosovar, prej së cilës pozitë dha dorëheqje muaj më parë pasi UEFA nuk lejon përzierje të politikës me futbollin. “Albert reflekto, jep dorëheqje dhe kështu hap rrugë që Kombëtarja e Kosovës të ecë përpara për t’u ngritur në nivel më të lartë. Kjo pasi që në sport flasin rezultatet, të cilat ty po të mungojnë”, thuhet në deklaratën publike të Haxhiut.
“Sot po të isha pjesë e FFK-së do të kërkoja shkarkimin tuaj bazuar në rezultatet e deritanishme, për shkak të gabimeve që ke bërë për këto pesë lojë dhe rrënimit të imazhit që i keni bërë Kombëtares së Kosovës”, ka theksuar Haxhiu. “Në këtë rast pas shkarkimit nëse t’i dëshiron t’ia marrësh mijëra euro FFK-së, atëherë do të zhgënjesh shumë njerëz që të kanë mbështetur sepse do ta mohosh kontributin tënd para pranimit në UEFA dhe në FIFA. Prandaj, Albert reflekto dhe jep dorëheqje, hapi rrugë Kombëtares së Kosovës të ngrihet më lartë”, shton ai.
Derisa, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, akoma nuk e ka komentuar deklaratën e Haxhiut, kurse FFK-ja i ka thënë “Zërit” se nuk është thirrur asnjë mbledhje e Komitetit Ekzekutiv për të hënën. “Mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv i thërret kryetari. Vokrri nuk ka thirrur mbledhje. Po ashtu, është kompetencë e kryetarit propozimi për emërim dhe shkarkim të selektorëve”, ka deklaruar FFK-ja.