Omer XHAFERI
Shkup, 25 dhjetor – Një javë para përfundimit të këtij viti, të dhënat zyrtare për viktimat në komunikacion thonë se, në dhjetë muajt e parë – nëpër rrugët e Maqedonisë kanë ndërruar jetë 138 persona, shkruan gazeta KOHA. Në ndërkohë, duke ju referuar raporteve ditore të Ministrisë për Punë të Brendshme, për muajin nëntor dhe dhjetor, jozyrtarisht mund të thuhet se aksidentet tragjike në vend për këtë vit i kanë tejkaluar viktimat e viteve të kaluara. Kështu që, në bazë të informacioneve të cilat Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion (KRSK) deri më sot i ka bërë publike, mund të vërehet se në vitin 2015 kanë ndërruar jetë 144 persona nga aksidentet e ndryshme në komunikacion, kurse ky numër në vitin 2014 ka qenë rreth 130 viktima. Drejtuesit e KRKS-së, duke i pasur parasysh këto të dhëna dhe situatën se si është duke u zhvilluar komunikacioni rrugor, kanë bërë apel që qytetarët për festat e fundvitit të mbajnë llogari për sjelljet e tyre, gjatë kohës sa janë duke drejtuar automjetin. Këshillat e zakonta të vendosjes së rripit të sigurimit, ulja e shpejtësisë apo mos vozitja nën ndikimin e alkoolit…, janë sugjerimet më të shpeshta, të cilat nga KRSK edhe kësaj radhe u ka rekomanduar qytetarëve të vendit. “Në vitin që vjen, apelojmë që shpejtësia dhe alkooli të mos jenë shoqërues të vozitësve. Dëshira jonë është që më fillimin e rrugëtimit të 365 ditëve të reja që na presim, qoftë duke ecur, vozitur apo vrapuar – të kthemi tek familjet tonë gjallë dhe shëndosh”, thonë nga KRSK. Përderisa rekomandimet dhe vërejte nga institucionet përkatëse publikohen, aksidentet tragjike nëpër rrugët e Maqedonisë nuk kanë të ndalur. Javën që e lamë pas, “Listës së zezë” të viktimave në komunikacion iu shtua një gruar 74-vjeçare, e cila pas lëndimeve që mori në udhëkryqin e fshatit Izdegllavje, në afërsi të magjistrales Ohër-Kërçovë, ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërsa një qytetar tjetër i shtyrë në moshë, gjatë javës së kaluar duke e kaluar njërin prej këmbësorëve në qytetin e Prilepit, u godit nga një bashkëqytetar i tij, me çka rrugës drejt spitalit të qyteti, ai ndërroi jetë. Këto statistika shqetësuese vendin tonë e shoqërojnë përgjatë tre viteve të kaluara. Hulumtimet dhe analizat e kryera nga KRSK, se në cilët rrugë në vendin tonë ndodhin më tepër aksidente tragjike, kanë konstatuar se bulevardet i kryesojnë akset rrugore ku bëhen shkeljet më të mëdha të rregullave të komunikacionit, me këtë edhe rritja e numrit të viktimave. Edhe pse prezenca e policisë rrugore dukshëm është shtuar në kryeqendër dhe më gjerë, kjo nuk është faktor i mjaftueshëm që në bulevardet si “Aradhet Partizane”, “Gjorçe Petrov” e të tjera në Shkup, të mos ndodhin aksidente fatale me pasoja në njerëz.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.