Juventusi mori fitoren e tretë radhazi të dielën ndaj Sassuolos dhe u ngjit në vendin e katërt, megjithatë këtë herë suksesi ka pasur koston e lartë për skuadrën e Andrea Pirlos, pasi ka humbur dy titullarë. Bëhet fjalë për mesfushorin amerikan Weston McKennie dhe fantazistin argjentinas Paulo Dybala, të cilët u zëvendësuan që në pjesën e parë, pasi nuk mund të vijonin më tej ndeshjen.
Amerikani pësoi një dëmtim muskulor në minutën e 19-të, ndërsa Dybala lëndoi gjurin gjatë një rënieje, ndërsa që të dy rrezikojnë të mbeten jashtë derbit të Italisë ndaj Interit, i planifikuar për këtë të diel në “San Siro”.
Vetë trajneri Andrea Pirlo u shfaq optimist pas ndeshjes, duke thënë se paraprakisht duket që Dybala dhe McKennie nuk kanë dëmtime të rënda dhe se do të rikuperojnë për sfidën e fundjavës, por vetëm ekzaminimet mjekësore do të sjellin rezultat më konkret.
Pirlo u përpoq të hidhte dritë mbi këtë, në intervistën pas ndeshjes me “Sky Sport”.
“Dybala ka një traumë në kolateralin e brendshëm, pak poshtë gjurit. McKennie kishte një problem me psoasin e tij dhe sot ndjeu disa dhimbje, pas goditjes me thembër”, zbulon Pirlo.
Gjithsesi nëse dy futbollistët nuk do t’ia dalin, atëherë Pirlo do të jetë në telashe, pasi nuk ka në dispozicion as mbrojtësit Cuadrado, Alex Sandro e De Ligt, të cilët janë prekur nga koronavirusi, ndaj me 5 mungesa në “San Siro” do të bëhej gjithçka më e vështirë.
Ndërkohë lajmi i mirë është rikuperimi i sulmuesit spanjoll Alvaro Morata, i cili luajti pak minuta mbrëmë ndaj Sassuolos dhe deri të dielën do të jetë gati për ta nisur ndeshjen si titullar.
Pirlo gjithashtu ka folur edhe për sfidën me Sassuolon ku pranon se Juventusi i tij nuk ishte perfekt dhe ka disa të meta.
“Ishte e rëndësishme të kishim vazhdimësi dhe të fitonim, përndryshe suksesi në ‘San Siro’ do të ishte i padobishëm. Ne ishim pak të çrregullt dhe të detyruar ta ngrinim qendrën e gravitetit, por në fund llogariten tri pikët”, shprehet Pirlo, i cili më pas ka folur për ndeshjen e madhe të dielën kundër Interit si dhe ndeshjen e Kupës të mërkurën me Genoan.
“Këto janë ndeshje të shkëlqyera për këdo për t’u luajtur. Ne kemi shumë kampionë të përgatitur për të përballuar këtë lloj sfide. Tani le të mendojmë për Kupën e Italisë, pastaj do të përqendrohemi te Interi. Dy nga tri rezultate në “San Siro”? Jo, ne jemi Juventusi dhe kemi presion për t’i fituar të gjitha ndeshjet, për të luajtur sikur të ishin finale”, deklaroi Pirlo.