Drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi” Burim Kaba thotë se çmimet teje të larta të rrymës elektrike dhe të derivateve të naftës kanë shkaktuar probleme plotësuese në punën e ndërmarrjes. Bordi drejtues i ndërmarrjes vlerëson se në një situatë kur kriza thellohet patjetër kërkohet një zgjidhje
Vjollca SADIKU
Dibër, 13 gusht – Çmimet e reja dhe shumë të larta të rrymës elektrike dhe të derivateve të naftës drejtpërdrejt kanë përkeqësuar situatën financiare të ndërmarrjes komunale publike në Dibër. Ndërmarrja komunale “Standardi” sipas drejtorisë ka thelluar dukshëm problemet që ka me borxhet të cilat janë krijuar vite më parë, e që nga viti në vit shtohen. Bordi drejtues i ndërmarrjes vlerëson se në një situatë kur kriza thellohet patjetër kërkohet një zgjidhje.
Drejtori i ndërmarrjes komunale “Standardi” Burim Kaba për gazetën KOHA thotë se çmimet teje të larta të rrymës elektrike dhe të derivateve të naftës kanë shkaktuar probleme plotësuese në punën e ndërmarrjes. “Ne si ndërmarrje komunale për çdo ditë në punën tonë të rregullt përdorim energjinë elektrike dhe derivatet e naftës. Rryma elektrike pa të cilën nuk mund të funksionon rezervuari kryesor dhe pajisjet e tjera dhe derivatet pa të cilët nuk mund të realizojnë aktivitete e tyre, automjetet për grumbullimin e mbeturinave kanë çmime të larta dhe ata normalisht kërkojnë një pagesë më të lartë. Drejtoria e ndërmarrjes në bashkëpunim me pushtetin vendor të komunës Dibër e cila është themeluese e ndërmarrjes, ka biseduar rreth çmimeve të reja të rrymës dhe të derivateve dhe normalisht është ngritur shqetësimi për mjete shtesë të cilat duhet të sigurohen me qëllim që ndërmarrja komunale pa probleme të realizon detyrimet dhe obligimet e saj”, thotë drejtori Burim Kaba i cili shton se një ngarkesë për ndërmarrjen shtohen edhe pagesa e rrogave minimale. Sipas Kabës i cili është edhe njeriu i dytë në asociacionin të ndërmarrjeve komunale në RMV, pikësynimi kryesor për zbutjen të problemit është përkrahja e Qeverisë. Presim që Qeveria ti ketë parasysh situatat në të cilët gjenden ndërmarrjet komunale jo vetëm në Dibër por edhe në mbar qytetet e tjera. Ndoshta duke kërkuar edhe një rritje të çmimit të ujit dhe grumbullimit të mbeturinave meqë në Dibër çmimi i ujit është vetëm 16 denarë, që do të thotë çmimin e ujit dibranët e paguajnë më lirë se në të gjithë qytetet të tjera.
Duke marrë parasysh se borxhet të ndërmarrjes komunale “Standardi” në Dibër arrijnë në 1.6 milion euro, meqë nuk janë paguar kontributet për shëndetësi dhe kontributet për sigurim pensional invalidor, pritet që shumë shpejt për shkak të çmimeve të reja të rrymës elektrike dhe derivateve të naftës, të rrisin nivelin e borxheve. Prandaj shqetësimet të drejtorisë të ndërmarrjes komunale janë me të drejt të arsyeshme dhe kërkohet që në këtë drejtim një angazhim të paraqitet edhe nga institucionet lokale dhe qendrore. Përfaqësues të këshillit të komunës Dibër thonë se në këtë drejtim patjetër duhet të rritet edhe grumbullimi i mjeteve nga faturat, meqë aktualisht inkasimi i mjeteve mujore arrin diçka më shumë se 17 për qind , gjë që është shqetësuese dhe që direkt ndikon në punën financiare të ndërmarrjes. (koha.mk)