Driton ZENKU
Gostivar, 17 shkurt – Kohëve të fundit, dhurimi i gjakut nuk paraqet tabu temë për qytetarët e Gostivarit, shkruan gazeta KOHA. Për dallim nga disa vite më herët ku jepej gjak vetëm në raste kur bëhet fjalë për anëtarë të familjeve të tyre, tani situata ka ndryshuar dh është krijuar një listë e gjatë me dhurues të rregullt të gjakut. Statistikat nga Organizata komunale e Kryqit të Kuq në Gostivar, flasin se ky trend shënon rritje nga viti në vit. Sa për krahasim, nga kjo qendër paraqesin të dhënat për numrin e dhuruesve të gjakut në pesë vitet e fundit. “Për fat të mirë dhe për dallim nga e kaluara, tani kemi një situatë krejtësisht të këndshme. Për shembull, në vitin 2012 mblodhëm 1410 njësi gjaku. Vitin vijues 50 njësi gjaku më tepër. Vitet më të kënaqshme janë vitet 2014 dhe 2015. Në vitin 2014 patëm 1510 njësi gjaku dhe në vitin 2015 po ashtu 1560 njësi gjaku. Se trendi është pozitiv, tregojnë shifrat për vitin e fundit. Gjatë vitit 2016 kemi pasur të grumbulluara gjithsej 1690 njësi gjaku. Kur i kemi para sysh këto të dhëna, shohim se rritja nga viti në vit është në vazhdimësi dhe kemi rritje mesatare për 50 persona brenda një viti kalendarik”, thotë Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar.
Shkaku i rritjes së njësive të gjakut, thotë për KOHA Alili, para së gjithash është rritja e vetëdijes te të rinjtë për të dhuruar gjak. Para disa vitesh, drejtuesit e Kryqit të Kuq në Gostivar, ishin drejtuar për ndihmë tek klerikët fetar, me qëllim që tu përcillet besimtarëve rëndësia e dhurimit të gjakut. Duket që kjo qasje, ka pasur efekt pozitiv në drejtim të vetëdijesimit të popullatës për të dhuruar gjak. Frymë pozitive solli edhe aktivizimi i të rinjve vullnetarë të cilët përmes shumë projekteve tërhoqën vëmendjen e opinionit. “Në përputhje të planit tonë të cilën plotësisht e realizojmë, derisa plani Republikan parasheh 3240 njësi të gjakut në nivel vjetorë dhe 3 % të numrit të popullatës, në Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë e Rostushë është e realizuar gati 50 % gjatë vitit 2016 . Mendojmë se ky numër nuk është real për shkak se në Gostivar dhe rrethin e Gostivarit një numër i madh i qytetarëve jetojnë jashtë vendit. Do të thotë kemi përqindja më të lartë të popullatës së regjistruar, ndërsa numri i popullatës rezidente na rezulton më i vogël. Duhet theksuar se sivjet, deri tash kemi realizuar rreth 500 njësi gjaku dhe besojmë që deri në fund të vitit të kemi realizimin më të madh se vitet e kaluara, sepse në pjesën e dytë të vitit do të kemi pjesën më të madhe të aksioneve për grumbullimin e gjakut”, shprehet Alilu.
Dhurimi i gjakut mund të konsiderohet ndër aktivitetet më humane që mund të bëj njeriu në jetën e tij. “Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë. Në çdo rast emergjence gjaku është I patjetërsueshëm, ndërkohë asnjë lloj mjekimi nuk mund të zëvendësojë transfuzionin e këtij lëngu jetik i cili nuk prodhohet në laborator,por vetëm dhurohet. Për të sensibilizuar të rinjtë mbi dobitë e personit të që dhuron gjak dhe atij që pranon, përfaqësues kësaj organizate kanë realizuar disa aktivitete ku kanë ndarë broshura dhe materiale të tjera me informata të rëndësishme mbi këto aktivitete”, vijoi Merita Alili nga Kryqi i Kuq në Gostivar. Në ditët e sotme gjaku konsiderohet si ilaç themelor në “botën spitalore”, i cili nuk ka analog. Dhurimi i gjakut mund të shpëtoi jetë, andaj drejtuesit e Kryqit të Kuq në Gostivar apelojnë deri te qytetarët që t’i përgjigjen pozitivisht apelit për dhurim të gjakut. “I bëjmë thirrje popullatës, veçanërisht pjesës rinore mbi moshën tetëmbëdhjetëvjeçare që t’i përgjigjen këtij apeli në nivel pozitiv dhe të drejtohen në qendër tonë të dhurojnë gjak”, apelon Alili. Në bazë të numrit të banorëve, Gostivari tani radhitet ndër qytetet e para në Maqedoni në aspekt pozitiv për sa i përket dhurimit vullnetarë të gjakut.
Dhurimi i gjakut në pesë vitet e kaluara
- Viti 2012 – 1410 njësi gjaku
- Viti 2013 – 1460 njësi gjaku
- Viti 2014 – 1510 njësi gjaku
- Viti 2015 – 1560 njësi gjaku
- Viti 2016 – 1690 njësi gjaku
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.