Ka disa hite në treg, ndërsa e ecën me hapa të sigurt. Ai është një malësor artist dhe natyrisht se njihet dhe e di mjaft mirë seriozitetin e të dhënit një intervistë, pasi pasioni tjetër i tij është dhe gazetaria. Po flasim për artistin Shtjefën Ujkaj, djaloshi simpatik i cili sapo ka sjellë këngën “Kerre pare”, por në rrëfimin e tij na tregon edhe për projektin e radhës, por edhe për angazhimet e tij si këngëtar dhe vendet ku ai ftohet dhe këndon. Por çfarë thotë ai për përkrahjen e artistëve të njohur ndaj tij e të rinjve? Ujkaj flet në intervistën për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si është djaloshi nga Malësia? Duke bërë këngën e re apo duke shijuar këngën që sapo ke publikuar?
Përshëndetje juve dhe gjithë stafi i gazetës Koha në Maqedoni… Ndërkohë që e shijoj këngën e fundit, këngën “Kerre Pare”, unë edhe mendoj për projektin tjetër të radhës. Mendoj që përpara sezonit të verës të realizoj edhe një projekt.
KOHA: U prit ashtu siç mendoje dhe i kënaqur me ata që punuan? Të rinjtë artistë duan përkrahje edhe nga emrat e njohur ti e ke ndjerë këtë përkrahje qoftë edhe nga këngëtarët me emër që jetojnë në Malësi?
Jam më se i kënaqur me publikun, me përkrahjen e tyre dhe respektin që shprehin ndaj meje. Kënga është pritur goxha mirë dhe vazhdon të pritet dita-ditës edhe më mirë. Po ashtu dua të them se jam i kënaqur edhe me bashkëpunëtorët e projektit. Çdo të riu i nevojitet përkrahje. Jo vetëm nga artistët, por edhe nga pjesa tjetër e njerëzve. Nuk them se nuk kam ndjerë përkrahje, por nuk kam ndjerë aq sa unë personalisht kisha mbështet një të ri.
KOHA: Një duet është në kokë dhe me kë do të donte, ose cilës artiste i ke thënë për një duet?
Duetin ka disa kohë që e sjelli dhe e për sjelli nëpër mendje.. Nuk është e lehtë që të vihet deri tek personi i duhur. Unë kam disa opsione sa i përket bashkëpunimit, por për momentin mbetet anonim. Shumë shpejt do të bëhet me dije edhe kjo pjesë.
KOHA: Në familjen tënde ka edhe të tjerë muzikantë? Mund të na i prezantosh?
Unë e kam vëllain këngëtar, quhet Toni Ujkaj. Ai është një këngëtar me eksperiencë shumë më të gjatë se sa unë edhe dua të them se hapat e para në këtë profesion i mora nga ai.
KOHA: Je edhe një gazetar i mirë përveç së një këngëtar, por të shkon më shumë cila, që ndoshta të tjerët ta thonë?
Gazetarinë e kam studiuar, ndërsa këngën e kam pasion. Mua të dyja këto profesione më pëlqejnë dhe janë pjesë e imja të pandashme. Por megjithatë, këngën e dua më shumë ngaqë jam rritur me tingujt e saj.
KOHA: Si i kë punët me dasmat? A shkoni për qejf apo për të kënduar dhe punuar?
Çdo gjë që bëhet, bëhet me dëshirë, aq më tepër kur e ushtron atë punën që vet e do. Dua të them se edhe me dasma por edhe ahengje të tjera jam në rregull. Këto janë pjesë e punës time.
KOHA: Ke ftesa në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni ku ka shqiptarë?
Në Maqedoni nuk kam pasur fatin akoma të përformoj. Shpresoj që edhe atje të kem ftesë. Sa u përket vendeve të tjera kam qenë dhe më kanë pritur shumë mirë. Dua të them se kemi një publik të jashtëzakonshëm dhe shumë mikpritës.
KOHA: Në përgjithësi artistët e kanë mendjen me kap Amerikën, e ju nga Malësia këtë ëndërr e keni më të prekshme, është në planet e tua Amerika?
Amerika është ëndërr për të gjithë. Me të vërtet është një vend që ka pritur shumë mirë popullin shqiptar. Unë kam qenë disa herë në këtë vend-Metropol të bukur, e po ashtu përsëri do të shkoj.
KOHA: E ke menduar vetëm pas 25 vitesh, se ku do të jesh më çfarë do të jesh më shumë i fokusuar?
Çdo herë do të jem i fokusuar tek muzika. Aty do të punoj, do të prodhoj sa të jetë e mundur. Por asnjëherë nuk do anashkaloj as pjesën e të qenit gazetar. Unë ju falënderoj për intervistën e po ashtu ju uroj punë të mbarë!