Shtigjet e biçikletave zaptohen nga veturat

28

Qytetarët presin që këto paralajmërime sa më shpejtë të përfundojnë dhe komunikacioni për të gjithë të zhvillohet në mënyrë të sigurt

Urim HASIPI

Tetovë, 15 prill – Shtigjet për biçikleta qytetit të Tetovës i mungojnë vite me radhë. Edhe pse kërkesat e qytetarëve që përdorin biçikletat janë të njëpasnjëshme, megjithatë kjo kërkesë pothuajse asnjëherë nuk është marrë parasysh. Vite më parë u rregulluan disa shtigje të këtilla, por të njëjtat nuk ishin shumë funksionale dhe shumë pak janë përdorur nga ana e drejtuesve të biçikletave. Së fundi, Komuna e Tetovës ka filluar me rregullimin e shtigjeve të këtilla në disa pjesë të Tetovës. Janë shënuar me ngjyrë të kuqe shtigjet e biçikletave në bulevardin e Ilindenit, kurse pritet që të njëjtat të rregullohen edhe në bulevardin Iliria në pjesën qendrore aty ku mungojnë. Nga Komuna e Tetovës thonë se këto shtigje janë parapërgatitje për vënien në funksion edhe të transportit publik.

Mësohet se këto shtigje më pas do të mbyllen edhe me shtylla prej metali që të pamundësohet parkimi paralel nëpër bulevarde që është problem i kamotshëm në këtë qytet. Por në bulevardin e Ilindenit, tashmë qytetarë të shumtë kanë filluar që të përdorin këto shtigje me biçikletat e tyre dhe kanë hasur në vështirësi. “Është mirë që më në fund komuna ka filluar të mendojë edhe për ne që dalim me biçikleta dhe të rregullojë këto shtigje. Deri më tani ka qenë shumë vështirë që të qarkullohet në këto rrugë me mjaft vetura dhe mosrespektim të rregullave nga ana e vozitësve të veturave. Por siç vërehet menjëherë kemi hasur në pengesa të mëdha, sepse shumë vozitës parkojnë veturat në këto shtigje që është jo normale dhe duhet urgjentisht të mos lejohen këto veprime, sepse na pengojnë shumë”, thotë Nehati, një banor i Tetovës.

Banorët e Tetovës janë të indinjuar që menjëherë pas shënimit të zonave për biçikleta, të njëjtat shfrytëzohen për parkim nga ana e vozitësve, prandaj kërkojnë që komuna dhe policia të bashkëveprojnë që këto shtigje të jenë të lira për qarkullim. Nga policia theksojnë se pas përfundimit të shënimit të zonave për biçikleta dhe lëshimit në përdorim të transportit publik, do të fillojnë edhe të veprojnë në teren duke dënuar ata që parkojnë veturat në këto zona. Derisa janë në ndërtim e sipër dhe nuk janë funksionale, policia do të veprojë vetëm në ato raste ku parkimi është paralel nëpër bulevarde. Nga Komuna e Tetovës pohojnë se këto veprime janë duke u ndërmarrë që në të ardhmen të funksionojë më lehtë edhe transporti publik por edhe vozitësit e biçikletave të kenë shtigjet e tyre.

Nuk ka afate se kur këto veprime do të përfundojnë nga ana e Komunës së Tetovës, kur dihet se gjatë verës në këtë qytet rritet shumëfish frekuentimi i automjeteve në rrugët e qytetit me ardhjen e mërgimtarëve. Për funksionalizimin e këtyre shtigjeve, sipas informacioneve të gazetës Koha, janë zhvilluar takime të sektorëve përkatës të Komunës së Tetovës dhe pjesëtarëve të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, respektivisht policisë rrugore, e cila në të ardhmen do të duhet të jetë më e angazhuar që këto zona për biçikleta të jenë të lira për qarkullim. Qytetarët presin që këto paralajmërime sa më shpejtë të përfundojnë dhe komunikacioni për të gjithë të zhvillohet në mënyrë të sigurt. (koha.mk)