Qëllimi është të inkurajohen investitorët e tjerë që të realizojnë shpejt investimet dhe planet e tyre të punësimit, ndërsa ZZHIT dhe Qeveria janë të gatshëm të ndjekin atë dinamikë, thuhet në deklaratë
Zenel MIFTARI
Shkup, 11 janar – Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike – ZZHIT në vitin 2020 ka paguar mbi 10 milionë e 600 mijë euro për 29 ndërmarrje për realizimin e investimeve të tyre në zona. Ky është realizimi prej 94.4% i ndihmës shtetërore të planifikuar për vitin e kaluar paguar investitorëve të huaj në vend. Në mënyrë shtesë është miratuar edhe pagesa e parakohshme e obligimeve ndaj dy kompanive, “Kostal” dhe “Genterm”, të cilat para kohe kanë arritur investimet e planifikuara dhe tragetet e planifikuara për punësim.
Shuma totale e detyrimeve të parapaguara të shtetit ndaj këtyre dy kompanive është 51.2 milionë denarë, mjete të siguruara nga “Vendimi për rishpërndarjen e fondeve” ndërmjet përdoruesve të buxhetit të miratuar nga Qeveria në dhjetor të vitit 2020. Kjo risi është pjesë e një sistemi të brendshëm plotësisht të ri të kujdesit ndaj klientit. Qëllimi është të inkurajohen investitorët e tjerë që të realizojnë shpejt investimet dhe planet e tyre të punësimit, ndërsa ZZHIT dhe Qeveria janë të gatshëm të ndjekin atë dinamikë, thuhet në deklaratë. ZZHIT ka një realizim prej 96% të buxhetit të planifikuar për vitin e kaluar. Në pjesën e investimeve kapitale ka 100% realizim. Për këtë qëllim, janë paguar 5.5 milionë euro. Shumica e tyre janë investuar në infrastrukturën e trafikut dhe asfaltimin, instalimin e tubacionit të gazit, infrastrukturën hidraulike, sistemin e furnizimit me ujë dhe të gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme – kanalizimet atmosferike dhe fekale, ndriçimi rrugor.
Për këtë vit po bëhen përgatitje për ciklin investues prej 15 milionë eurove në infrastrukturën themelore të më shumë zonave. Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, ZZHIT do të krijojë një “Fond të Veçantë Strategjik të Investimeve” përmes të cilit shteti dhe investitorët privatë do të investojnë së bashku në projekte të veçanta për zhvillimin e infrastrukturës. Ky fond do të investohet në zonat ekzistuese industriale në komuna, ku shumica e ndërmarrjeve janë vendase. Drejtoria gjithashtu paraqet një qasje të re në tërheqjen e investimeve sipas të cilave kompanitë vendase do të gëzojnë të njëjtat shërbime, mbështetje dhe privilegje si ato të huaja. (koha.mk)