Zejnulla VESELI
Shkup, 18 dhjetor – Pas 11 vitesh, Shoqata e Mediave të Shkruara e formuar dy javë më parë, ka arritur për kaq kohë të shkurtër të përpilojë dhe dorëzojë propozim-ligj deri të Qeveria e Maqedonisë, i cili parasheh që përmes subvencioneve – shteti të mbështet mediat e shkruara. Kështu deklaroi kryetari i SHMSH-së, njëherësh drejtor i gazetës KOHA, Lirim Dullovi, në debatin publik që të hënën u mbajt në Qeverinë e Maqedonisë, ndërkohë që informoi se propozim-ligji parasheh që shteti të mbulojë gjysmën e shpenzimeve të tirazhit të shtypur dhe distribuimit të mediave të shkruara dhe, siç tha Dullovi, nëse ky propozim pranohet nga Qeveria, atëherë gjatë ndarjes së përkrahjes financiare, medoemos të respektohen kriteret e përcaktuara, konkretisht të përjashtohen mediat që shpërndahen falas. “Pas 11 vitesh të kaosit të krijuar në mediat e shkruara, për herë të parë përfaqësuesit e mediave të shkruara në Maqedoni kërkojnë me Ligj që shteti të subvencionojë gjysmën e shpenzimeve që bëhen për shtyp dhe distribuim. Nëse edhe mediat e shkruara – që shpërndahen falas do të ndihmoheshin, atëherë do të rrënohet konkurrenca lojale, sepse këto media shtypen në tirazh shumë më të madh – deri më 30 mijë ekzemplarë dhe kështu jo vetëm që do të tërheqin numrin më të madh të reklamave, por edhe ndihmat qeveritare për 50 për qind të shpenzimeve të shtypit dhe ditribuimit do të ishin shumë më të larta se në një gazetë tjetër, e cila shtypen në tirazh prej 5000 ekzemplarëve” tha Dullovi. Përfaqësuesit e mediave që në Maqedoni shpërndahen falas kërkuan nga kryetari SHMSH-së dhe nga përfaqësuesit qeveritar që të mos diskriminohen, sepse siç thanë ata, edhe ata i paguajnë tatimit shtetit. Dullovi megjithatë u shpreh se në asnjë mënyrë nuk diskriminohen mediat e shkruara që shpërndahen falas, ndërsa kërkoi edhe argumentin me të vogël nëse ndonjë shtet evropian subvencionon mediat e shkruara falas!
“Përkrahje financiare shtetërore për gazetat falas nuk ka asnjë shtet evropian. Nëse me argumente e bindni Shoqatën e Mediave të Shkruara dhe Qeverinë se një shtet evropian subvencionin gazetat falas, atëherë edhe ju mund të jeni pjesë e propozim ligjit”, siguroi Dullovi. Propozim-përkrahjen financiare të Qeverisë për mbulimin e gjysmës së shpenzimeve të shtypit dhe distribuimin e mbështetën pothuajse të gjithë përfaqësuesit e mediave të shkruara, të cilën ishin prezent në debat. Për kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, ky propozim për përkrahje financiare nga shteti është i mirë, sepse siç u shpreh ai, bazohet në përvojat e vendeve të Evropës ku media e shkruar subvencionohet nga shteti. “Meqë bëhet fjalë për subvencionim të shpenzimeve të realta për shtyp dhe distribuim, kjo përkrahje aspak nuk do të ketë ndikim në politikën redaktuese të gazetave”, tha Selmani. Ministri pa portofol për komunikim dhe informim, Robert Popvski, ndërkaq u shpreh se kemi të bëjmë vetëm me propozim, i cili është dorëzuar nga SHMSH-ja dhe i njëjti mund edhe të plotësohet. “Gjatë përgatitjes së zgjidhjes ligjore, do të merren parasysh të gjitha propozimet që dalin nga debati. Qëllimi i vetëm i Qeverisë është se si të ndihmohen mediat e shkruara, të cilët po e paguajnë çmimin më të lartë nga zhvillimi i mediave të reja dhe rrjetet sociale. Në asnjë mënyrë përkrahja financiare nga ana e shtetit nuk do të ndikojë në politikën redaktuese të mediave. Dilema e vetme e Qeverisë është se a të përkrahet tirazhi i shtypur, apo shitja e gazetave. Me rishikimin e parë të Buxhetit 2018 mund edhe të parashihen mjete buxhetore në këtë drejtim”, tha ministri Popovski. Në debat u theksua se nevoja për përkrahjen e mediave të shkruara nga shteti del edhe nga rekomandimet e Raportit të Pribesë. Në SHMSH, për momentin anëtarë janë gazetat nacionale ditore “Nova Makedonija”, “Veçer”, “Sloboden Peçat”, “Koha”, “Lajm”, gazetat javore “Kapital”, “Shenja” dhe “Fokus”, si dhe gazetat lokale “Prilepski Zenit”, “Shtipski klasal” dhe “Bitolski Vesnik”. “Meqë bëhet fjalë për shoqatë të sapoformuar, jemi të hapur edhe për anëtarësimin edhe të mediave tjera të shkruara që shprehin interes të jenë pjesë e shoqatës. Nëse propozimi do të pranohet nga Qeveria, atëherë shuma totale që kërkohet është rreth 1 milion euro aq sa kontribuojnë mediat në mbushjen arkës shtetërore si tatimpagues. Ajo që vlen të theksohet se nga ky kulaç prej 1 milion euro, edhe 20 për qind mjete tjera do të shkojnë për mediat e shkruara në gjuhën shqipe”, tha Lirim Dullovi, kryetar i Shoqatës së Mediave të Shkruara.