Zejnulla VESELI
Shkup, 6 mars – Mbi 41.5 për qind e popullatës në Maqedoni janë të varfër dhe kjo kategori njerëzish për ta kaluar muajin të ardhurat e vetme materiale i kanë nga ndihmat sociale, kategori kjo që njëherit përbën numrit më të madh të papunëve në Maqedoni, edhe pse të gjithë kanë nevojë të integrohen në tregun e punës, shkruan gazeta KOHA. Ky ishte konstatimi i përbashkët i pjesëmarrëseve në tryezën e rrumbullakët me temë “Punësim për secilin”, të organizuar nga Instituti për hulumtime ekonomike “Finance Think”, i përkrahur nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit për kategorinë e njerëzve bartës të ndihmave sociale. Me këtë projekt parashihet trajnimi dhe kualifikimi i këtyre personave që të ardhurat e vetme mujore i kanë nga ndihmat sociale. “Problemi kryesor me të cilin me vite po ballafaqohet Maqedonia është se përqindja më e madhe e njerëzve të papunë janë popullatë aktive për punë. Me keqja është se të gjithë këta njerëz që janë bartës të ndihmave sociale janë të pamotivuar për t’u punësuar nga frika se do të humbin ndihmën sociale. Prandaj, projekti ‘Punësim për secilin’ ka për qëllim të propozon ndryshim të këtyre masave, gjegjësisht t’ju sigurohet një vend punë dhe për gjashtë muajt e parë të punësimit përveç rrogës të vazhdojnë të marrin edhe ndihmën sociale deri sa nuk fitojnë të drejtën e punësimit afatgjatë”, deklaroi Despina Tumanovska nga Instituti për hulumtime ekonomike “Finance Think”. Ndërkaq, Klementina Ilievska nga Asociacioni për hulumtime, komunikim dhe zhvillim-“Publik”, u shpreh se politikat evropiane po shkojnë në drejtim se si më lehtë të ndikojnë te familjet me rrezik social, t’i motivojnë ato për të gjetur një vend pune si dhe të përpilojmë projekte që do të jenë të kapshme për këtë kategori njerëzish, të cilët nga frika se do të humbin të drejtën e ndihmës sociale, nuk pranojnë të angazhohen si punëtorë me status me kohë të pacaktuar. “Motivimi i ulët është arsye e vetme se pse një numër i të papunëve që janë bartës të ndihmave sociale nuk pranojnë të punojnë me rroga të rregullta. Padyshim se frika është motiv plotësues, pasi nëse ata punësohen mendojnë se do të humbin të drejtën e ndihmës sociale. Shteti duhet të bëjë çmos që këto njerëz t’i përfshijë në tregun e punës e të mos lejojë që ata të diskriminohen nga punëdhënësit, por t’i motivon ata se të punosh është më mirë se sa të jesh bartës i ndihmës sociale. Kësaj kategorie të familjeve të rrezikuara më së shumti i takojnë romët dhe nënat kryefamiljare”, deklaroi Klementina Ilievska. Ndryshe, edhe raporti i fundit i Bankës Botërore mbi papunësinë tek të rinjtë në Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, tregon se norma e papunësisë tek të rinjtë, e cila është 52.9, paraqet shifër alarmante, duke e radhitur Maqedoninë në vendin e tretë në listën botërore si shteti me numër më të madh të rinjve të papunë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.