Sipas ndryshimeve ligjore – “naftë të gjelbër”, apo naftë për mekanizimin bujqësor, do të fitojë çdo bujk apo ekonomi bujqësore e regjistruar, ndërsa për këtë dedikim për sivjet nga arka shtetërore janë ndarë afër pesë milionë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 prill – Bujqit në Maqedoni në muajin qershor do të fitojnë naftë për 50 për qind më të lirë seç e paguajnë tani. Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim rural që pritet të votohen në Kuvend këtë muaj, shteti do të mbulojë 50 për qind të harxhimeve të naftës në bujqësi, shkruan gazeta KOHA. Me ndryshimet ligjore, “naftë të gjelbër”, apo naftë për mekanizimin bujqësor do të fitoj çdo bujk apo ekonomi bujqësore e regjistruar, ndërsa nga arka shtetërore për këtë dedikim për sivjet janë ndarë afër pesë milion euro.
Njëherësh, nafta më e lirë për bujqit do të zbusë edhe shtrenjtimin prej 3 denarë të naftës me vendosjen e akcizës shtesë në nëntor të vitit 2017. Vlerësohet se kostoja e naftës ndikon mjaft në prodhimtarinë bujqësore , si për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të derivateve të naftës në vitet e fundit, ashtu edhe për shkak të harxhimeve për 30 për qind më të mëdha të bujqve për shkak të posedimit të mekanizimit bujqësor të vjetër.
ÇDO BUJK DO TË KETË KARTELË ELEKTRONIKE
Vendosja e naftës së lirë në bujqësi paraqet realizimin e kërkesës së vjetër disavjeçare të bujqve për vendosjen e regresit të naftës prej së paku 10 denarë apo vendosjen e subvencionit prej 30 denarë litër naftë për çdo hektarë të tokës së përpunuar. Parashikohet që çdo bujk të fitojë kartelë elektronike me të cilën do të blejë naftë për 50 për qind më të lirë, ndërsa do të përgatitet edhe një rregullore për shpërndarjen e saktë të saj.
Bujqit thonë se nafta për çdo vit paraqet një nga harxhimet kryesore të bujqve gjatë sezonit të mbjellave dhe korrjeve. Llogaritet se vetëm gjatë sezonit të mbjelljeve nevojiten 40 litra naftë për kulturat e drithit, 50 litra naftë për kulturat foragjere , apo 120 litra për një hektarë të perimeve të mbjella duke llogaritur vetëm sezonin e mbjelljeve.
Në ndërkohë, pas kalimit të procedurave qeveritare në javën e kaluar, edhe Komisioni Parlamentar për Bujqësi në mbledhjen e ditës së martë në leximin e parë dha dritë jeshile për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim rural që parashikon subvencionimin e 50 për qind të harxhimeve për blerjen e karburantit për mekanizim bujqësor.
Me ndryshimet e propozuara ligjore parashikohet që bujqve dhe ekonomive bujqësore tu subvencionohet 50 për qind e mjeteve për blerjen e naftës, por jo më shumë se 100 mijë denarë për ekonomi bujqësore. Për blerjen e karburantit do të ndahen kartela pagesore me shuma të caktuara. Për këtë dedikim në buxhetin e shtetit për vitin 2018 janë parashikuar mjete në vlerë prej 310 milion denarë apo afër pesë milion euro.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se nafta e gjelbër vendoset me qëllim të uljes së harxhimeve prodhuese dhe rritjes së konkurrencës së sektorit bujqësor. Bujqit e përshëndesin vendosjen e kësaj mase në favor mase që do të sjellë prodhimtari më të lirë.
“Nafta e gjelbër do të zbusë edhe goditjen e rritjes së akcizës për dizelin. Në të vërtetë do të blejmë naftë me çmim dyfish më të lirë seç është në shitje. Nëse një litër kushton 60 denarë, për ne do të jetë 30 denarë”, thonë nga Shoqata e bujqve të Maqedonisë.
MASA QË PRAKTIKOHEN NË SHTETE TË TJERA
Një masë ë tillë zbatohet në më shumë shtete të rajonit si Kroacia, Hungaria, Rumania etj, por edhe të Bashkimit Evropian. Në Kroaci prej vitit 2000, bujqit kanë të drejtë për naftë më të lirë për të gjitha hapësirat e mbjella bujqësore dhe për kulturat e mbjella për çka nga arka e shtetit ndahem me dhjetëra miliona euro.
Vetëm në vitin 2015, Agjencia kroate e subvencioneve ka ndarë 171 milionë litra naftë më të lirë për 85 mijë ekonomi bujqësore. Prej vitit 2018 në Kroaci, me vendimin e Ministrisë së Bujqësisë, në sistemin e harxhimit të kuotave të gazit, dhe dizelit të kaltër për bujqit, janë shtuar edhe bletaria, rritja e derrave, rritja e kuajve dhe gomarëve dhe shpendaria . Kjo masë, sipas kompetentëve në Kroaci, i barazon bletarët me prodhuesit e tjerë për shkak se ato nuk kanë tokë, por megjithatë ju nevojitet karburant në punën e tyre të përditshme.
Bletarët në Kroaci kanë pasur të drejtë për shfrytëzimin e karburantit më të lirë si kusht për uljen e harxhimeve të bletarisë lëvizëse apo mobile. Këtë të drejtë e kanë humbur për shkak se program kombëtar bletar nuk është llogaritur si pagesë direkte apo subvencion. Me ndryshimet e fundit, bletarët me kamionët e regjistruar për nevojat e bletarisë do të përdorin naftë më të lirë për të ulur harxhimet e transportit. (koha.mk)