Shteti, punëdhënësi kryesor!

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 16 shkurt – Shtyllat kryesore të rritjes ekonomike në vitet e kaluara ishin stimulimet fiskale përmes realizimit të projekteve të ndryshme infrastrukturore, eksportit të nxitur nga kompanitë në zonat e lira ekonomike si dhe konsumit të popullatës, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu ekonomia e Maqedonisë, me afër 300 mijë pensionistë që për çdo muaj presin pensione nga shteti, me rreth 180 mijë të punësuar që presin rrogë prej buxhetit, me mijëra firma që presin punë nga tenderë publike të vlefshëm me qindra miliona euro tregon vartësi të madhe prej shtetit.
Ekonomistët thonë se në mënyrë graduale në vitet e ardhshme duhet të bie ndikimi i madh shtetit në rrjedhat ekonomike, sidomos është e papranueshme që shteti paraqitet si punëdhënësi apo edhe kontraktori më i madh i sektorit privat, përmes realizimit të investimeve të ndryshme kapitale, sepse vetëm në këtë mënyrë i lihet hapësirë dhe mundësi sektorit privat të jetë lokomotiva e zhvillimit ekonomik të vendit.
Vlerësohet se kompanitë vendore e kanë patjetër që të rrisin eksportin si në prodhime ashtu edhe në shërbime në degë të ndryshme si teknologjia informatike, bujqësia, blegtoria, apo turizmi. Njëherësh duhet ndryshuar edhe struktura e pavolitshme e eksportit ku pak shesim jashtë prodhime me vlerë të shtuar, ndërkohë që vite me radhë eksportojmë lëndë të parë apo gjysmë prodhime. Vetëm në vitin 2016 , katalizatorët e Xhonson Meti, pjesët për ndezjen e veturës dhe të ngjashme, feronikeli dhe veshmbathja ishin asetet kryesore eksportuese të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, përkundër fakti se shquhemi si vend bujqësor , akoma kemi shkallë shumë të ulët të përpunimit të pemë perimeve , ku për shembull eksportojmë molla , ndërsa importojmë lëng molle.
Sipas profesorit universitar Nasir Selimi, nuk ekziston një formulë magjike që sektori privat të zëvendësojë shtetin në zhvillimin ekonomik, megjithatë sipas tij hapi i parë në këtë drejtim është orientimi sa më i madh i kompanive vendore në gjetjen e tregjeve të reja .
“Sektori privat duhet të jetë më aktiv dhe këmbëngulës që të gjejë blerës të ri të prodhimeve dhe shërbimeve të tij si në tregun vendor ashtu edhe atë të jashtëm. Perspektiva, por edhe qëndrueshmëria e ekonomisë vendore qëndron vetëm tek rritja e të ardhurave nga eksporti për çka flet edhe fakti se të gjithë firmat e shohin ardhmërinë e tyre në këtë drejtim. Andaj nevojitet që edhe shteti me instrumente të ndryshme të ndihmojë biznesin, duke krijuar kushte dhe lehtësime për kompanitë vendore eksportuese”, thotë për KOHA, Selimi.
Sipas tij, nevojitet që të ofrohet një mbështetje më e madhe në formë të trajnimeve, promovimeve të prodhimeve vendore, vendosjes së kontakteve përmes përfaqësive diplomatike me qëllim që kompanitë të zgjerojnë kapacitetet e tyre prodhuese dhe të rrisin prezencën në tregjet e jashtme.
Në ndërkohë edhe njohësit e tjerë të ekonomisë vlerësojnë se shteti nuk duhet të jetë punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh në shtet përmes investimeve të ndryshme duke pasur në disponim për të harxhuar afër 3.5 miliardë euro në vitin 2018.
“Sivjet do të kemi buxhetin më të madh në historinë e shtetit që në mënyrë indirekte tregon se ekziston përzierje e madhe e shtetit në ekonomi. Në një ekonomi tregu, udhëheqës kryesor i rritjes ekonomike dhe zhvillimit janë bizneset, ndërsa Qeveria nuk duhet të jetë investitori dhe punëdhënësi më i madh”, thotë akademiku Taki Fiti.
Sipas tij, duhet të ekzistojë përzierja e shtetit por me një kufi të caktuar, ndërsa roli i shtetit duhet të jetë krijimi i një ambienti të favorshëm për biznes që të munden kompanitë të nxiten të investojnë. Ndryshe, në vitet e ardhshme sfidat kryesore sipas Bankës Botërore për të gjitha shtetet e rajonit dhe jo vetëm për Maqedoninë , janë ndryshimi i rolit të shtetit në ekonomi, nga roli i mbështetësit në rolin e atij që mundëson rritje ekonomike, lirimin e potencialit të kompanive private, përmirësimin e tregut të punës dhe kapitalit njerëzor si dhe integrimin në BE dhe ekonominë globale. (koha.mk)