Numri i të punësuarve në administratën publike dhe buxheti për ta duhet të korrespondojë me rritjen e ekonomisë. Administrata dërrmuese po shpenzon një pjesë të madhe të buxhetit të Maqedonisë dhe kjo është arsyeja pse kemi gjithnjë e më pak para për investime, shkencë, kujdes shëndetësor…”, ankohet biznesi privat
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 shkurt – Shteti vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh në Maqedoni, derisa administrata publike vazhdon të thithë më shumë vende të reja pune sesa sektori privat. Biznesmenët ankohen se në vend të fokusimit të krijimit të politikave për më shumë vende pune në sektorin privat, shteti po stimulon punësimet në administratën e shtetit, ndërsa mungojnë reformat e mirëfillta për klimë në rritjen e produktivitetit të kompanive joshtetërore. Përveç kësaj, ata paralajmërojnë se harxhimet e administratës po bëhen gjithnjë e më e shtrenjtë dhe një problem shtesë, sipas tyre, është se shteti çdo ditë e ë shumë po i vjedh punëtorët e sektorit privat, shkruan gazeta KOHA.
Megjithë paralajmërimet, punësimi masiv në administratë nuk ndalet, ka vazhdimisht njoftime të reja, megjithëse çdo ditë flitet se administrata është e stërmbushur me “ushtarë” partiak dhe se e njëjta tashmë është jofunksionale. Deri tani nuk ka një “dorë” shteti që ndalon punësimet e reja në sektorin publik, sidomos jo tani para zgjedhjeve presidenciale. Bashkimi Evropian paralajmëron se administrata është e mbushur me njerëz dhe se nevojiten reforma, reforma këto që do t’i rrisnin shërbimet për qytetarët.
Një numër i madh i konkurseve për ndërmarrjet publike dhe agjencitë shtetërore u realizua menjëherë pas krizës politike në mesin e vitit 2017, raundi i dytë i punësimeve u bë pak para hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për administratën, kur paralelisht me transformimin e punësimeve të përkohshme në marrëdhënie të përhershme, u pranuan qindra punonjës të rinj. Edhe para Vitit të Ri kishte valë punësimesh shtetërore, ndërsa dhjetë ditë më parë, ose një javë para shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, pothuajse nuk mbeti institucion shtetëror që nuk kërkonte punëtorë. Sipas ekspertëve, për paga dhe kontributet e administratës publike shpenzohen shumë mjete nga buxheti i shtetit, ndërsa kjo godet direkt sektorin privat. Punësimi në administratën publike nënkupton një punë të garantuar, me të gjitha përfitimet, sigurimin social, pagë relativisht të mirë, pushime në fundjava dhe gjatë festave publike, ndërsa jo gjithmonë është në shërbimin e qytetarëve, por përmbushin vetëm ambiciet e punonjësve.
Siç thotë Darko Lazarov, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Goce Dellçev”, është e nevojshme të punohet në ndryshimin e mentalitetit të sektorit të biznesit, forcimin e kapaciteteve institucionale të shtetit dhe reformimin e administratës publike. “Reformimi i administratës publike duhet të bëhet në të gjitha nivelet, nga më të lartat tek më të ultat, në drejtim të specializimit, depolitizimit, përmirësimit dhe digjitalizimit, për t’u bërë një shërbim i vërtetë për biznesin. Është e domosdoshme që politika të nis nga biznesi, të forcojë kapacitetet e institucioneve ligjore, politike dhe ekonomike, dhe së fundi, biznesi të marrë vendin e vet si një forcë motorike dhe një ngasës i ekonomisë”, thekson Lazarov.
Angell Dimitrov, kryetar i Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, thotë se çështja e punësimit në administratën publike është një barrë e madhe për ekonominë e vendit dhe e njëjta do të provokojë në një afat të gjatë kolaps të vërtetë të ekonomisë. “Numri i të punësuarve në administratën publike dhe buxheti për ta duhet të korrespondojë me rritjen e ekonomisë. Administrata dërrmuese po shpenzon një pjesë të madhe të buxhetit të Maqedonisë dhe kjo është arsyeja pse kemi gjithnjë e më pak para për investime, shkencë, kujdes shëndetësor…”, mendon Dimitrovi. Ai thotë se një gjë është çështja se sa na kushton administrata e madhe, dhe nga ana tjetër – sa kjo administratë e ndihmon qytetarin dhe ekonominë, ose e justifikon apo jo koston që bën. “Shpenzimet nuk janë vetëm pagat e administratës publike, por edhe objektet me qira ku ndodhen, automjetet, telefonat, shërbimet publike dhe çdo gjë tjetër që ata bëjnë”, thotë Dimitrov. Administrata justifikohet vetëm kur ndihmon qytetarët dhe ekonominë, por për ta bërë këtë, ajo duhet të ndryshojë plotësisht qëndrimin ndaj tyre, në vend të “shefit”, ai duhet të bëhet “shërbëtor” i qytetarëve dhe ekonomisë, sepse është qyteti ai që ndanë nga të ardhurat për t’i paguar administratorët, shton Dimitrov.
Kryeministri Zoran Zaev muaj më parë theksoi se administrata publike efikase është e nevojshme për shkak të rritjes së ngarkesës së punës, por që një numër i administratorëve do të transferohet në sektorin privat. “Ekziston tejkalim i nevojave administratës, por përmes një trajnimi të caktuar me mbështetjen e Qeverisë, ata do të jenë të gatshëm të pranohen në sektorin privat, pa pasur nevojë ta humbasin bukën. Ky është qëllimi ynë dhe një proces që ende nuk ka filluar dhe ne do të racionalizojmë administratën pa humbur askënd”, tha Zaev. Megjithatë, deri sot asgjë nuk ka ndryshuar. Përkundrazi – menjëherë pas zgjedhjeve, qindra punonjës të rinj do të fillojnë punë në administratë. (koha.mk)