Nga 81 komuna në tërë shtetin, vetëm 36 kanë inspektorë. Në Shkup, më shumë inspektorë ka në Komunën e Kisella Vodës – tre, në Aerodrom dy, dhe nga një në komunat tjera. Pa inspektorë mjedisor janë 45 komuna, kryesisht rurale, atje ku ka më së shumti deponi të egra
Arbër KADRIU
Shkup, 22 prill – Përkundër problemeve të shumta ekologjike gjithandej vendit, në gjysmën e komunave të vendit nuk ka inspektorë për mjedisin jetësor. Nga Këshilli i Inspektoratit informojnë se janë ndarë 56 licenca për inspektorë komunal të mjedisit në njësitë e vetëqeverisjes lokale në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, megjithëse nga 81 komuna, vetëm 36 kanë inspektorë. Kështu që, nga një inspektor për mjedisin ka në Manastir, Gjevgjeli, Dibër, Dellçevë, Kërçovë, Koçan, Kriva Pallankë, Kumanovë, Makedonski Brod, Bosilevë, Brvenicë, Dollnen, e të tjerëm ndërsa në Tetovë ka gjashtë inspektorë mjedisor. Për sa i përket Shkupit dhe komunave brenda kryeqytetit, më shumë ka në Kisella Vodë – tre inspektorë, në Aerodrom dy, dhe nga një në komunat tjera. Pa inspektorë mjedisor janë 45 komuna, kryesisht rurale, atje ku ka më së shumti deponi të egra.
Një studim i bërë nga “Infocenter” tregon se më shumë se gjysma e komunave të vendit kanë departamente inspektimi dhe një e treta e tyre kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndër-komunal për inspektimet në nivel lokal. Megjithatë, siç thuhet në studim, marrëveshjet janë kryesisht formale. Kjo, sepse një inspektori i bie të kontrollojë territor të gjerë, ndërsa pranon pagë të ulët dhe nuk ka një automjet zyrtar për lëvizje. “Inspektoratet lokale shpesh janë pa ose me efekte të kufizuara në terren, dhe aty ku ka dhe është në dispozicion, inspektorët shpesh janë përgjegjës për zonat e shumta në të njëjtën kohë, ndërsa kanë paga të ulëta dhe mungesë të automjeteve dhe pajisjeve të tjera teknike”, thuhet në studim. Inspektorët lokal për mjedisin emërohen nga kryetari i komunës, që sipas studimit, kjo mund të shpie drejt korrupsionit dhe ndikimit që kreu i Komunës mund të ketë në ndonjë rast denoncimi nga inspektori.
Mungesa e inspektorëve për mbrojtjen e mjedisit dhe problemet ekologjike pothuajse në tërë territorin e vendit, janë vërejtur edhe në Inspektoratin shtetëror për mjedisin. Drejtoresha e këtij institucioni, Ana Petrovska, ka thënë ditë më parë se nga 95 denoncimet e fundit për ndotje të ambientit, vetëm 15 kanë qenë nën juridiksionin e tyre, ndërsa pjesa tjetër nën përgjegjësinë e inspektorateve komunale. “Mbeturinat dhe deponitë ilegale janë nën juridiksionin e vetëqeverisjes lokale. Ne kemi nën kontroll vetëm deponitë që digjen, hedhjen e mbeturinave nga rezervuarë të ndryshëm në lumenj, mbeturinat e ndërtimeve e kështu me radhë”, theksoi Petrovska. (koha.mk)