Kush është shteti? Shteti jemi ne, të dashur. Edhe tek mosdhënia e shtetësisë, edhe tek mosvjelja e taksave nga komunat, edhe tek tatimet, edhe tek ligjet edhe tek politikat e mëdha. Asgjë nuk mund t’i justifikojë më veprimet kur shteti është problem
Nga Nazim RASHIDI
Dy ngjarje do të veçoj këtë herë në këtë tekst e që lidhen me shtetin. Si e shohim ne shtetin, si na sheh ne shteti dhe kush është shteti? Opozita shqiptare ka ngritur në nivelin e një çështjeje thelbësore atë të shtetësisë, ose më saktë të mosdhënies së shtetësisë disa mijëra vetëve siç vlerësohet, dhe me të drejtë. Debatet dhe përplasjet e politikës janë të turpshme, sepse merren me formën dhe jo me thelbin e kësaj çështjeje, e ky është fati i këtyre njerëzve. Në fakt, bëhet fjalë për shtetin, shteti i njerëzve që me vite jetojnë këtu, shumëkanë lindur këtu madje kanë dhe pasardhës dhe ende shteti nuk u njeh shtetësinë.
Kjo është skandal. Aq e thjeshtë është. Shtetësia, në esencë është njohja e shtetit që ky person, ose këta persona janë të tijët. Nga kjo marrëdhënie dalin disa të drejta thelbësore, që janë të jetosh i lirë, të kesh dokumente, të mund të udhëtosh dhe tëmund të punosh aty. Këto të drejta sjellin edhe detyrime ndaj shtetit, sepse kur shkollohesh, punon, vepron, ti u bindesh ligjeve të vendit. Por duke mos pasur shtetësinë një pjesë e madhe e këtyre të drejtave, por edhe detyrimeve, nuk i ushtron dot.
E këtu është skandali. Pa hyrë në detaje, shtetësia merret kur lind në një vend, nga prindërit, por edhe me martesë apo dhe përfitohet pas shumë vitesh kur jeton në një vend. Këta njerëz ka raste që i plotësojnë të gjitha këto kushte dhe ende janë pa shtetësi.
Pse? Ta themi hapur. Sepse një pjesë e madhe janë shqiptarë, e shteti ngadalëson, pengon, refuzon këtë të drejtë të tyre, e cila është jetike, për të vijuar ata jetën e tyre.
Fare s’më intereson se si do të zgjidhet juridikisht statusi i tyre, me dëshmitarë, me vërtetime, me prezencë… forma gjithmonë është e mundshme, por mungon vullneti. Dhe të merremi vesh, për mua edhe një person të ketë status të tillë, çfarë do qoftë të ishte ai me etni, do ishte skandaloze. Sepse shteti, ose më mirë ai që operon me shtetin, nuk guxon në asnjë moment të mbysë mundësinë e një njeriu, aq më shumë që kjo është e drejtë e tij. Shteti në esencë duhet të jetë në favor të njerëzve, t’i ndihmojë ata, tua bëjë jetën më të lehtë. Por kush është ky shtet që duket aq i plotfuqishëm? Asgjë më shumë se sa njerëzit. Në fakt institucionet që drejtohen nga njerëzit, që mund të jenë si unë e ti. Pra ligjet, rregullat se si funksionojnë këto institucione, njerëzit dhe fondet. Mund të kemi ligjet dhe njerëzit, por nëse s’ka para nuk merren dot veprimet. Dhe kur jemi këtu është çështja e dytë që mu duk skandal.
Në një studim të Qendrës për Komunikime të Qytetarëve, doli se një pjesë e madhe e komunave me vendbanime shqiptare nuk kanë mbledhur ose realizuar pagesat për tatimin mbi pronën. Pra edhe një herë, janë institucionet, pra shteti, që drejtohen nga njerëzit që nuk mbledhin paratë, pa të cilat nuk mund të funksionojë.
Dhe shikoni listën: Komuna e Haraçinës, ka arkëtuar 0, po, po, 0 denarë. Pastaj Mavrova dhe Roshtushe ka arkëtuar 27%, Studeniçani 32%, Dollneni 34%, Qendra Zhupa 36%, Gostivari 40%, Zhelina, 42%, Vrapçishta 46%, Likova 51%, Tetova 55%, etj. Prapë del në pah çështja e raportit që kemi me shtetin. Dhe mbi të gjitha, kush është shteti?
Shteti jemi ne, të dashur. Edhe tek mosdhënia e shtetësisë, edhe tek mosvjelja e taksave nga komunat, edhe tek tatimet, edhe tek ligjet edhe tek politikat e mëdha. Asgjë nuk mund t’i justifikojë më veprimet kur shteti është problem. Nëse e shikojmë çështjen ngushtë, edhe nga aspekti shqiptar. Tek shteti shqiptarëtjanë kudo, edhe tek shtetësia, edhe tek komuna, edhe tek tatimet, edhe tek ligjet edhe tek politikat e mëdha. Kështu thonë partitë, sa herë janë në qeveri. Atëherë problemi ynë është se refuzojmë ta shohim shtetin në sy me gjithë detyrimet e tij dhe detyrimet tona. Shteti ynë ka edhe një ngarkesë më shumë, atë etniken, nga e cila nuk zhvishet e nuk zhvishet dot. E lodhshme më kjo.
Shtetësia nuk u jepet njerëzve sepse ka ngarkesa e frikëra se ata disa mijëra njerëz, që jeta mund t’ju jetë bërë tmerr, do rrisin numrin e shqiptarëve në vend. (Shifrat e përqindjet që s’na lanë rehat). Reagimet sa i përket tatimeve nga maqedonasit janë po me kontekst etnik. Ata thonë ja, shteti nuk funksionon tek shqiptarët. Ata sjellin më pak të ardhura dhe kërkojnë të marrin më shumë.
Aghhh! Shteti janë të gjithë, madje edhe ai që s’ka shtetësi, sepse edhe me ekzistencën e tij sado të vuajtur, vepron e ndikon këtu përditë. Por shteti është edhe ai aparatçiu që përcjell gjithë paragjykimin e tij tek shteti, kur merr rolin e implementuesit të ligjit,pra të shtetit. Shteti është edhe zyrtari që përton ta bëjë punën, të shpjegojë, të ndihmojë e deri tek ata që përpiqen e punojnë, e kështu me radhë deri tek maja ku janë deputetë, ministra… Por s’do duhej të shkruanim më tekste të tilla që janë si leksion, do të duhej të ishim kritikët dhe sugjeruesit e një përparimi e zhvillimi. Por mendësia e përgjithshme me dhe ndaj shtetit, që është mendësia me dhe ndaj përgjegjësisë, shpesh të munguar, bën që të flasim për mungesën e zhvillimit.
Edhe kjo e lodhshme.
Prandaj, nëse pranon se shteti je ti, me të gjitha veprimet, atëherë në asnjë rast dhe asnjëherë s’duhet lejuar që shteti të shtypë e të marrë ndonjë të drejtë, por përkundrazi, ngrie zërin për mundësi, mundësi të barabarta për të gjithë. Shteti je ti dhe unë, pse të ndalojmë të tjerët? Të gjithëve u duhet dhënë jetë. Boll më me frikëra. Por shtet s’je dot kur s’paguan tatime, aq më keq kur nuk e ngre zërin për këtë. Sidomos kur “i joti” është shkelës dhe ti hesht për ta mbrojtur. Prandaj shteti duhet t’i dënojë ata që nuk zbatojnë ligjet njëlloj për të gjithë. Sikur veç shqiptarë të ishim, skandal do ishte që gjysma paguajnë e gjysma jo tatimin, e aq më shumë që këtë e bën paaftësia e administratave, pra e shtetit, pra ti.
Po ky shtet ka absurdet e veta. Ka nga ata që duan të bëhen shtetas e si rrjedhojë të marrin përsipër detyrimet ndaj shtetit. Ka nga ata që janë shtetas e që nuk mërziten për detyrimet që kanë. Ka nga ata që drejtojnë shtetin e se kanë idenë se ç’bëjnë. Dhe sigurisht të gjithë që e shohin dhe e duan shtetin veç përfitime, ku mundësisht mos bëjnë asgjë!
Prandaj skandaloze janë të dy rastet, e ndërkohë mbeten pyetjet: Si e shohim ne shtetin? Si na sheh ne shteti? Dhe kush është shteti? Në të gjitha rastet, ti je në qendër!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)