Subvencione për investitorët e huaj dhe për bujqit, për fluturime të lira, ndihmë për botimin e librave, ndryshimin e dritareve apo vendosjen e koftorave me peleta në amvisëri… janë vetëm një pjesë e veprimtarive ekonomike dhe shoqërore që ndihmohen nga shteti
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 qershor – Subvencione për investitorët e huaj dhe për bujqit, për sjelljen e turistëve të huaj, fluturimet e lira, ndihmë shtetërore në kuadër të projektit “Blej shtëpi, blej banesë” që shkon në favor të rritjes së natalitetit, stimulime në të holla ofrohen në vitet e fundit për produksionin e muzikës zbavitëse, popullore dhe për fëmijë përmes stimulimit me ndihmë shtetërore, ndihmë për botimin e librave, ndryshimin e dritareve apo vendosjen e koftorave me pelet në amvisëri… Këto janë vetëm një pjesë e veprimtarive ekonomike dhe shoqërore që fitojnë ndihmë të ndryshme financiare për të cilën për çdo vjet nga buxheti ndahen mjete të konsiderueshme, shkruan gazeta KOHA.
Shteti në vazhdimësi vitet e kaluara, por edhe aktualisht po ndihmon jo vetëm biznesin dhe bujqit, por edhe degë të tjera ekonomike me subvencione apo mjete të pakthyeshme që llogariten në qindra milionë euro në vit. Me fjalë të tjera, ndihma shtetërore në të holla synon ngjalljen e potencialit ekonomik dhe human të shtetit. Deri në 1 shtator të vitit kaluar janë paguar 99 për qind e subvencioneve për vitin 2017. Bujqit kanë fituar 100 milionë euro në emër të përkrahjes financiare. Me këtë rast, duhet theksuar se pagesat ndaj bujqve llogariten jo në bazë të vitit kalendarik prej 1 janarit deri më 31 dhjetor, por sipas kalendarit bujqësor prej muajit qershor të një viti deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm. Njëherazi, në rrjedhë e sipër është edhe projekti i naftës së gjelbër për 55 mijë fermerë që pritet të fitojnë mjete në vlerë prej 200 milionë denarë për të ulur koston e prodhimtarisë bujqësore.
Me angazhimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë Pagesore apo të IPARD-it, vetëm në thirrjen e parë në vitin e kaluar janë nënshkruar 932 kontrata të vlefshme 18 milionë euro. Totali i vlerës së IPARD 2, për të cilin do të ketë edhe disa thirrje publike, është afër 25 milionë euro që paraqesin bashkëfinancim të modernizimit të bujqësisë dhe mbështetjes së zhvillimit rural.
SUBVENCIONE EDHE PËR UDHËTIME DHE PUSHIME
Edhe ekzekutivi i ri ka vazhduar me mbështetjen financiare që ju mundëson qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të udhëtojnë më lirë në qendrat e ndryshme evropiane. Me marrëveshjen e fundit të kontraktuar më dhjetor të vitit 2018, pritet të vazhdohet me pagesën e subvencioneve për kompaninë Viz ER deri më vitin 2022. Për këtë qëllim, në periudhën 2019-2022 parashikohet të ndahen 312 milionë denarë. Apo me fjalë të tjera, do të ndahen 86 milionë denarë në vitin 2019, 204 milionë denarë në vitin 2020 dhe 17 milionë denarë në vitin 2021.
Do të ndahet edhe ndihmë e njëhershme prej 40 mijë euro për çdo destinacion të ri nga dy aeroportet në shtet. Për çdo destinacion të ri nga Shkupi do të ndahet nga 10 euro për pasagjerë vitin e parë të kontratës, 8 euro për udhëtar në vitin e dytë dhe 7 euro vitin e tretë. Për çdo destinacion të ri, nga aeroporti i Ohrit do të ndahen 13 euro për pasagjerë vitin e parë, 12 euro në vitin e dytë dhe 11 euro në vitin e tretë. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë para disa ditësh ndau 21 milionë denarë për 87 firma të vogla dhe të mesme në kuadër të programit për konkurrencë, inovacion dhe sipërmarrësi për blerjen e pajisjeve dhe makinerive, ku çdo biznes mund të fitojë jo më shumë se 300 mijë denarë. Ky dikaster ndan vite me radhë edhe subvencione për dyert e plastikës, kolektorë të diellit dhe kaldaja me peleta ku për tre masat e tilla – në vitin 2017 janë ndarë 50 milionë denarë apo afër 800 mijë euro. Në dhjetë vitet e kaluara, apo nga viti 2006 deri më vitin 2016, afër 4000 amvisëri kanë fituar 900 mijë euro subvencione për vendosjen e kolektorëve të diellit.
Ministria e Ekonomisë ndan edhe mjete për punëtorët me të ardhura të vogla që do të kalojnë pushimet e tyre në qendrat turistike në shtet. Një vit më parë, për këtë janë siguruar 60 milionë denarë për afër 4000 familje që do të shfrytëzojnë këtë masë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2018, shteti ka ndarë afër 40 milionë euro mjete të pakthyeshme në emër të ndihmës financiare për bizneset të huaja dhe vendore. Fondi për inovacione ka ndarë 12 milionë euro si mjete që nuk kthehen për të nxitur inovacionet dhe konkurrencën e bizneseve. Njëherësh janë ndarë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale afër 300 mijë euro si ndihmë e përkohshme për kompanitë që kanë rritur pagat minimale. Pritet që për këtë qëllim, firmat të fitojnë 6 milionë euro për vitin 2018 dhe 14.5 milionë euro për vitin 2019.
KUR NGROHJEN TA PAGUAN SHTETI
Me Ligjin e ri për përkrahjen e investimeve janë paguar edhe afër 3 milionë euro për kompanitë e huaja dhe vendore të orientuara në eksport e që kanë investuar në teknologji të reja dhe kanë rritur numrin e të punësuarve. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka ndihmuar programet e punësimit që i realizon Agjencia e Punësimit me afër 1 milion euro. Vitet e kaluara është rritur dukshëm edhe numri i turistëve të huaj në vend si rrjedhojë e më shumë masave në nivel të shtetit. Agjencia e Turizmit ju ka paguar vetëm në vitin 2018, turoperatorëve 1.2 milion euro që sjellin turistë të huaj në shtet.
Vite me radhë, në shtet mbështeten edhe programe të ndryshme të kulturës ku në buxhetin për vitin 2019 do të ndahen 96 milionë denarë për veprimtarinë botuese, 180 milionë denarë do të ndahen për filmin, 10 milionë denarë do të jenë mjetet që do të ndahen për dotacionet ndaj komunave në fushën e kulturës e kështu me radhë. Mbështetje të ndryshme financiare për qytetarët dhe bizneset nuk ofrojnë vetëm ministritë apo agjencitë e ndryshme, por edhe komunat. Në tre vitet e kaluara, 976 amvisëri në Shkup kanë shfrytëzuar mundësinë që të ndryshojnë mënyrën e ngrohjes duke përfituar subvencionin për blerjen e koftorit me pelet prej 30 mijë denarë.
Në Buxhetin e Qytetit të Shkupit për vitin 2019 parashikohen 556 milionë denarë apo 9 milionë euro për vazhdimin e subvencionimit për blerjen e kaldajave moderne, biçikletave, pastrimin e oxhaqeve, ndërsa një ndihmë e konsiderueshme parashikohet nga arka e Qytetit të Shkupit edhe për ndërmarrjet publike të rrugëve, parkingut dhe gjelbërimeve. Në tre vitet e kaluara, 976 amvisëri kanë shfrytëzuar mundësinë që të ndryshojnë mënyrën e ngrohjes duke përfituar subvencionin për blerjen e koftorit me peleta prej 30 mijë denarë. Sivjet, më shumë të holla apo afër 4 milionë euro do fitojë Ndërmarrja e Transportit Urban që të tejkalojë problemet në punën e përditshme. Kjo kompani do të fitojë edhe subvencione prej 1.6 milion euro për transportin falas të nxënësve, studentëve dhe të moshuarve. Me kaq nuk përfundon lista e mbështetjes financiare apo subvencioneve të ndryshme që shteti në mënyra të ndryshme ofron për të nxitur dhe mbështetur veprimtari të ndryshme jo vetëm ekonomike, por edhe ato me interes të përgjithshëm shoqëror, por këto që theksuam më lart ishin vetëm një pjesë e atyre që janë më të rëndësishme apo më interesante. (koha.mk)