Shteti do t’i marrë ingerencat në punët ndërtimore në Strugë dhe Ohër

Shkup, 19 korrikKryeministri Zoran Zaev ende nuk e ka marrë letrën me të cilën kryetari i Komunës së Strugës ia lë ingerencat e komunës në pjesën e ndërtimtarisë. Thotë se ka informata se edhe Komuna e Ohrit do ta bëjë të njejtën dhe se shteti do t’i marrë këto ingerenca të lëna dhe se do të veprojë për t’i përmbushur obligimet ndaj UNESKO-s, por edhe ndaj qytetarëve, duke vendosur rend në këtë sferë.

“Letra, e cila siç po shoh tashmë i është dërguar opinionit, sipas të gjitha gjasave, tani do të arrijë. Dëgjova se edhe Komuna e Ohrit dëshiron t’i lë kompetencat e veta në pjesën e ndërtimtarisë. Prita të veprojnë institucionet jo vetëm për shkak se janë tema aktual në Ohër dhe në Strugë, por edhe për shkak të UNESKO-s. Nëse nuk veprojnë, shteti i merr ingerencat. Në këtë mënyrë bënë që këto ingerenca shumë shpejtë të vijnë drejt shtetit. Ne do t’i ndërmarrim. Për shkak të obligimit që të rregullohet Ohri, brigjet e liqenit dhe rrethina e qytetit për shkak të UNESKO-s, por edhe mënjanimit të dukurive devijuese”, deklaroi Zaev duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si do të veprojë Qeveria pas paralajmërimit të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko për lënien e ingerencave në këtë sferë.

Qëllimi ynë, tha Zaev, është të veprojmë në pajtim me ligjin, të zgjedhim kompani të cilat do të bëjnë procedurë ekzekutuese, të cilat do të nisin procesverbal pas procesverbali, pjesë për pjesë t’i përmbushin obligimet tona ndaj UNESEKO-s, por para së gjithash dhe mbi të gjitha – para qytetarëve.

Kështu do të mundësohet sundimi i ligjit, mënjanimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale, të cilat nuk kanë të drejtë legalizimi. Ata të cilët kanë të drejtë, potencoi Zaev, mund të mbeten, por për ato të cilat nuk kanë të drejtë do të veprohet sipas ligjit.