Do të zvogëlohet gradualisht edhe afati i pagesave për faturat e dorëzuara nga ana e Ministrisë së Financave apo Fondit Shëndetësor, në llogarinë e operatorit ekonomik të sektorit privat nga 30 në 15 ditë , apo nga 45 në 30 ditë nga dita e parashtrimit të kërkesës
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 tetor – Ndërmarrjet dhe institucionet e ndryshme të sektorit publik do të paguajnë borxhet ndaj kompanive private në një afat prej një muaj. Kjo paraqet shkurtim të afateve nga 60 ditë sa janë aktualisht me ligj në 30 kur shteti paraqitet si borxhli. Me fjalë të tjera, me uljen graduale të afateve prej 50 ditë vitin e ardhshëm, 40 ditë në vitin 2023 dhe 30 ditë pas tre vitesh, shteti do të ketë obligim të paguajë detyrimet financiare ndaj sektorit privat për një muaj që nga viti 2025. Kjo parashikohet ndër të tjerash me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Disiplinë Financiare, të propozuar nga Ministria e Financave, dhe të pranuar nga Qeveria, sipas të cilit, afati për pagesën e detyrimeve të shtetit ndaj sektorit privat nga viti 2025 do të jetë 30 ditë. Pritet që harmonizimi i afateve të ndikojë pozitivisht ndaj likuiditetit të operatorëve ekonomik të sektorit privat, si rrjedhojë e shkurtimit të afateve të pagesës së borxheve. Me këtë propozim, parashikohet ulje graduale e afatit të shlyerjes së detyrimeve të subjekteve nga sektori publik, llogaritë e të cilëve janë në Llogarinë e Thesarit të Ministrisë së Financave. Kështu që, nga 60 ditë që është tani, nga data 1 janar i vitit 2023, ai afat të zvogëlohet në 50 ditë, nga data 1 janar i vitit 2024, do të zvogëlohet për 10 ditë dhe do të arrijë në 40 ditë, ndërsa nga muaji janar i vitit 2025 do të jetë 30 ditë.
“Zvogëlohet afati nga 90 në 60 ditë edhe për pagesat e sektorit publik, llogaritë e të cilëve janë në kuadër të Llogarisë së Thesarit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë. Apo me ndryshimet e propozuara parashikohet që nga muaji janar i vitit 2023, afati për shlyerjen e detyrimeve financiare të këtyre subjekteve të bëhet 80 ditë, nga muaji janar i vitit 2024 afati të jetë 70 ditë, ndërsa nga muaji janar i vitit 2025 afati të jetë 60 ditë”, thuhet në ligj.
Njëherësh, ndryshimet ligjore parashikojnë se në transaksionin afarist kur Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë dhe shfrytëzuesit e mjeteve financiare nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor të Maqedonisë, institucionet shëndetësore publike dhe institucioni publik nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve publike shëndetësore, klinikat universitare, enti dhe qendra urgjente që paraqiten si debitorë, nuk mund të caktohet afat më i gjatë se 90 ditë për përmbushjen e detyrimit të borxhit, sqarojnë nga Ministria e Financave. Gjithashtu, do të zvogëlohet gradualisht edhe afati i pagesave për faturat e dorëzuara nga ana e Ministrisë së Financave apo Fondit Shëndetësor, në llogarinë e operatorit ekonomik të sektorit privat nga 30 në 15 ditë, apo nga 45 në 30 ditë nga dita e parashtrimit të kërkesës në Thesarin e Ministrisë së Financave apo Thesarin e Fondit të Shëndetësisë. Njëherësh, ligji thekson se nëse obligimi financiar nuk përmbushet në afatet e përcaktuara me ligj, subjekti nga sektori publik që ka kryer kundërvajtjen do të dënohet me gjobë në shumë prej 2500 deri në 3000 euro në denarë, ndërsa personi përgjegjës për atë lëndë do të dënohet me gjobë prej 100 deri në 500 euro në denarë.
Ligji që është në fuqi për Disiplinë Financiare hyri në fuqi nga muaji maj i vitit 2014, mirëpo edhe me funksionimin e tij ka pasur ankesa se detyrimet nuk kryhen me kohë dhe po vonohen.
Ekspertët thonë se disiplina financiare nënkupton gjendjen në të cilën të gjithë pjesëmarrësit e tregut i përmbushin detyrimet e tyre brenda afateve ligjore dhe të dakorduara. Tendenca e çdo ekonomie kombëtare është të ruajë një nivel të lartë të disiplinës financiare, sepse në këtë mënyrë reduktohen rreziqet dhe kostot e operacioneve dhe nxitet rritja ekonomike afatgjatë. Në mungesë të disiplinës financiare shfaqen një sërë pasojash, duke përfshirë: rritjen e rreziqeve, rritja e kostove të transaksionit, potencial për zhvillimin e një krize financiare, konkurrencë joefektive, çekuilibrimi i i balancit të tregut, ngadalësimi i rritjes ekonomike… Është një fakt i pamohueshëm që asnjë vend nuk mund të vendosë një disiplinë të plotë financiare dhe kjo as është praktikisht e mundur. E rëndësishme është që kjo disiplinë të jetë sa më i fortë dhe e mbështetur nga legjislacioni në fuqi, i cili do të sanksionojë ata që janë të padisiplinuar. Ndërkohë, në vitet e kaluara ka pasur ankesa se shteti ka vonuar pagesën e borxheve, përderisa kompanitë kanë pasur probleme me pagesën e borxheve të tyre nga ana e institucioneve të ndryshme të shtetit. Problemi vetëm se është shtresuar me krizën ekonomike dhe financiare të shkaktuar nga pandemia , por edhe me luftën në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në fund të tremujorit të parë të këtij viti, apo në fund të muajit mars ishin mjaft të larta të dhënat për detyrimet arritura dhe të papaguara të shtetit ndaj sektorit publik, ndaj personave fizikë, jashtë vendit dhe detyrimeve ndaj sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave të tjera jofitimprurëse. Totali i borxheve të papaguara ndaj sektorit privat, ndaj afaristëve në vend në një kohë kur ato punojnë dhe luftojnë për mbijetesë arriti në 197 milionë euro. Totali i borxhit të brendshëm (detyrime të arritura dhe të papaguara në të gjitha nivelet e shtetit) në fund të tremujorit të parë të vitit ishte 392 milionë euro. Në fund të muajit mars të këtij viti vetëm institucionet publike shëndetësore kishin borxhe prej afër 86 milionë euro, komunat kishin borxhe prej 72 milionë euro, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti kishin borxhe në vlerë prej 134 milionë euro etj. (koha.mk)