Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 shkurt – Në mbështetje të ideve të reja, kreative dhe dobiprurëse që burojnë nga universitetet, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) premton angazhimin e saj për ti dalë në ndihmë kujtdo që kontribuon në nxitjen e inovacioneve – e veçanërisht të rinjve. Fundja, “për këtë punë është shteti”, shprehet zëvendësministri Arbër Ademi, i cili nuk është kursyer aspak të ofrojë mbështetje për të rinjtë dhe angazhim maksimal për shtimin e mundësive dhe volumit të mjeteve financiare për realizmin e ideve inovative në arsim, shkruan gazeta KOHA. Sipas tij, në Maqedoni ka rritje të vazhdueshme të shkallës së vetëdijesimit për rëndësinë e inovacioneve, por edhe interesim për sigurimin e mjeteve për realizimin e ideve përkatëse.
“Për këtë punë është shteti këtu. E, në këtë kontekst dua të nënvizoj se do të angazhohemi që të zgjerohen vazhdimisht mundësitë për inovacione dhe sasia e mjeteve financiare me qëllim rritjen e mjeteve për financimin e inovacioneve. Sepse, kjo është ardhmëria e vendit”, është shprehur Ademi në manifestimin “Nata e ideve” organizuar nga Instituti francez dhe Fakulteti i Makinerisë pranë Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në debatin me temë “Të rinjtë dhe inovacionet” morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme arsimore, komunitetit të biznesit dhe studentë, të cilët vunë theksin te rëndësia që ka mbështetja e inovacioneve në zhvillimin e shoqërisë, por edhe nevojën për mbështetjen më të madhe institucionale me qëllim të inkurajimit dhe realizimin të ideve kreative. Në këtë pikë, zëvendësministri Ademi konsideron se “sa më shumë hulumtues, krijues dhe sipërmarrës ka një vend, aq më shumë përparojnë shoqëria dhe ekonomia e atij vendi”. Për këtë arsye, pavarësisht rotacionit politik në vend, Qeveria e re, sikurse shpjegoi ai, nuk do të distancohet nga obligimet për zbatimin e Strategjisë për zhvillimin e inovacioneve (2012-2020). Përkundrazi, te kjo Strategji dhe te një sërë ligjesh që kanë të bëjnë me inovacionin si veprimtari, Ademi thotë se është i mbështetur edhe programi për punë i kësaj Qeverie. “Në këtë pjesë ekziston një qasje e koordinuar institucionale, e cila do të jep efekte afatshkurtre ose afatmesme. Të gjitha aktivitetet e përcaktuara dhe të ndërmarra në kuadër të Programit qeveritar për punë, janë në përputhje me Strategjinë për zhvillimin e inovacioneve 2012-2020, Ligjin për veprimtari inovative, Strategjinë rajonale për hulumtim dhe zhvillim të inovacioneve për Ballkanin perëndimor dhe shumë dokumente tjera strategjike që janë pjesë e planit të gjerë për ndërtimin e Maqedonisë si vend i dijes, inovacionit dhe teknologjia informatike”, është shprehur zëvendësministri i Arsimit.
Në përfitimin e mundësive të këtilla, në të kaluarën kujdesej Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, përmes së cilit ndaheshin mjetet për kategori të reja shfrytëzuesish mesin e të cilëve edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilëve iu financoheshin projektet hulumtuese nga lëndët e shkencave natyrore dhe teknike. Kushti kryesor ishte që ato hulumtime të jenë në përputhje me programet mësimore të lëndëve përkatëse si dhe thirrjes për financimin e teknologjive për uljen e ndotjes së ajrit në mjediset urbane. Para dy viteve, nga ky program u zgjodhën 5 kompani shkollore të cilët u bënë shfrytëzuese të mjeteve të alokuara për këtë qëllim. Paraprakisht, MASH-i kishte aprovuar edhe rekomandimet e këshillit Evropian për përpilimin e një Strategjie Nacionale për Mësim të Sipërmarrësish dhe Inovacionit (2012-2020) ku mes tjerash parashihej edhe vendosja e një lënde të posaçme arsimore. Kështu që lënda e Sipërmarrësi dhe Inovacion filloi të mësohej në shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale nga viti shkollor 2012/2013. Kjo lëndë, sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të jetë pjesë e programeve shkollore të paktën deri në vitin 2002, jo vetëm sepse është pjesë e strategjikeve të miratuara nga qeveritë e përparshme por edhe sepse mbi këto dokumente, sipas deklarimeve të zëvendësministrit të Arsimit, Ademit, është ndërtuar edhe Programi i punës së qeverisë së tanishme. (koha.mk)