Në Maqedoninë e Veriut, pushteti dhe politika praktikohet sipas konceptit të shtetit partiak dhe në bazë të ndikimit të figurave politike të caktuara, ku realizimi i të drejtave të qytetarëve në masë të madhe varet nga vullneti dhe influenca e tyre, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke folur për fenomenin e vënies së interesave klanore para atyre shtetërore e shoqërore
Destan JONUZI
Shkup, 14 shtator – Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut e këndej, në opinion është krijuar bindja se partitë politike në përgjithësi para interesit të qytetarit dhe atij shtetëror, vendosin interesat e tyre individuale apo grupore. Kjo është vërtetuar disa herë për gjatë këtyre viteve të kaluara të pluralizmit politik në vend, ndërsa u vërtetua edhe nga takimi i fundit mes kryeministrit Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski. Ata nuk arritën pajtueshmëri për një ligj i cili siguron shtet të së drejtës, siç është Ligji për Prokurorin Publike, duke i vënë mbi të interesat e ngushta partiake, shkruan KOHA.
Ish-deputeti Zudi Xhelili thekson se kjo qasje politike në vend është si rezultat i mungesës së qëllimeve të sinqerta programore të partive politike. “Të gjitha partitë pa përjashtime në fushata zgjedhore kanë ide dhe qëllime të sinqerta, duke u bazuar në programet e tyre, por pas zgjedhjeve ato programe nga kolektive i shndërrojnë në grupore dhe individuale. Partitë duhet të ndryshojnë mentalitetin e tyre psikik, edhe të angazhohen ndryshe, të krijojnë vlera të mirëfillta brenda tyre, që të mund ta vënë interesin e qytetarit para aty individual dhe grupor”, thotë Zudi Xhelili, ish-deputet.
Nga ana tjetër, sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, Shpëtim Pollozhani, partitë në Maqedoninë e Veriut nuk janë të profilizuara, andaj edhe me të ardhur në pushtet harrojnë interesin edhe mirëqenien kolektive. “Partitë tona nuk janë parti politike të vërteta. Ato nuk e kanë profilin as të partive të majta dhe as atë të partive të djathta të botës perëndimore. Partitë politike të vendit janë grupime interesi, sikurse që ishin në komunizëm OPB-OZT, organizata e punës së bashkuar- “organizacija na zdruzhen trud”. Kjo vërtetohet me një fakt të pamohueshëm. Të gjitha partitë politike, sapo ta marrin pushtetin, puna e parë që e bëjnë është ndarja e kulaçit ndërmjet veti. Asnjë parti politike, pasi ta ketë marrë pushtetin nuk i formon skuadrat profesionale, të cilat do t’ia kishin zbardhur faqen, por iu jep funksione militantëve partiake, të cilët ia nxijnë fytyrën. Asnjë parti deri tani nuk ka dëshmuar se parim kryesor e ka mirëqenien kolektive”, vlerëson Pollozhani. Ai potencon se të gjitha partitë politike në vend luftojnë për mirëqenie individuale, e cila në fund po gropos të gjithë qytetarët. “Partitë politike, me këtë mendësi provinciale bajraktare, kështu do të shkojnë edhe njëqind vjet, në rast se nuk çohet rinia për t’ua prerë riskun”, nënvizon Pollozhani.
Profesori universitar, Mersim Maksuti thotë se edhe më tej në Maqedoninë e Veriut, pushteti dhe politika praktikohet sipas konceptit të shtetit partiak dhe në bazë të ndikimit të figurave politike të caktuara, ku realizimi i të drejtave të qytetarëve në masë të madhe varet nga vullneti dhe influenca e tyre. “Ky fenomen i qeverisjes shkon edhe më tej sa që edhe drejtësia dhe fati i institucioneve të drejtësisë varen nga interesat e tyre të ngushta klanore partiake. Vetëm nëpërmjet zbatimit dhe respektimit të plotë të ligjit mund të vijë në shprehje përmbushja e interesave publike dhe të drejtave të qytetarëve”, potencon Maksuti. (koha.mk)