Mbi një milion e gjysmë ka shkuar vlera e shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Gjykatës Speciale, të cilat shteti do t’i marrë përsipër t’i paguajë.
Me vendimin për deklasifikimin e këtyre informacioneve, Ministria e Drejtësisë ka publikuar këto shpenzime.
Kërkesat e aprovuara dhe të ekzekutuara fillojnë me muajin tetor, prej kur kanë nisur edhe arrestimet.
I pari që ka përfituar është i arrestuari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Salih Mustafa.
Për Mustafën në tetor janë paguar 48 mijë euro, ndërsa deri në fundin e muajit mars i janë aprovuar rreth 270 mijë euro në total.
Të gjithë të akuzuarit që mbahen në paraburgim, janë në listën e përfituesve për mbrojtje ligjore.
Shuma më e lartë e aprovuar është për kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati. Ai ishte arrestuar në të njëjtën ditë me zëvendësin e tij, Nasim Haradinaj, dhe ndaj tyre rëndon një aktakuzë e përbashkët për saktësisht të njëjtat vepra, por diferenca e shumës së përfituar për mbrojtje ligjore është e madhe.
Përderisa Gucati për periudhën tetor 2020 – mars 2021 i janë aprovuar 315 mijë euro për mbrojtje për avokatin, Jonathan Rees, për dy avokatët e Haradinajt për të njëjtën periudhë janë paguar rreth 170 mijë euro.
Pjesë e aktakuzës së përbashkët janë katër ish-krerët e UÇCK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Por, pagesat e aprovuara për mbrojtjen ligjore dallon tek secili.
Avokatit David Young, që e përfaqëson Rexhep Selimin, deri tani i janë aprovuar mbi 280 mijë euro.
Për Pierre Prosper, avokatin e Hashim Thaçit, për 3 muaj, shteti ka aprovuar pagesë në vlerë të 250 mijë eurove e për avokaten e Jakup Krasniqit, Vanteskari Alagendra, deri tash MD-ja ka aprovuar 242 mijë euro.
Shumë më pak para ka përfituar mbrojta e ish-krye kuvendarit, Kadri Veseli. Për avokatin, Ben Emmerson, që e përfaqëson Veselin, deri në fund të marsit është aprovuar shuma totale rreth 31 mijë euro.
Publikimi i këtyre të dhënave nuk ka qenë i mundshëm deri tash për shkak se këtë e kishte ndaluar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, me një vendim të 31 janarit të vitit 2019, por që ministrja Albulena Haxhiu me të marrë postin e ministres së Drejtësisë pati premtuar deklasifikimin e këtyre informatave.
Në Hagë për krime lufte ose pengim të administrimit të drejtësisë për këto krime janë duke u mbajtur 7 kosovarë.
KOHA.net