Ku është shteti dhe ku është prapanica? Ja ku është! Derisa shteti është lëshuar në rrjedhën e lumit të quajtur eurointegrime, ai si kështu, si ashtu e ka marrë drejtimin. Por! Brenda shteti përjeton një frazë qesharake që thotë “ku është fundi?…fundi është mbi ne”. Ne kemi arritur nën fundin. Në një situatë të tillë, të “rrëzuar nën fund” politikanët përveçse ta ruajnë prapanicën e tyre nuk mendojnë për asgjë tjetër, por as nuk kanë ndonjë qëllim
Nga Agim JONUZ
Para ca ditësh, ashtu duke bërë shaka, po bisedoja me një mik që merret me politikë dhe e pyes se kur do të vendoset në rend dite federalizimi i Maqedonisë. Tipi filloi të qeshte, e më thotë çfarë federalizmi, mos do të bësh ti “Fri shop” në kufi. Më thotë se askush nuk është budallallepsur sa të kërkojë federalizmin në këto momente. Kështu e mbajmë dhe e kemi nën kontroll të gjithë shtetin. Nëse do të bëjmë federalizmin, atëherë do të mbylleshim në kornizat ku jemi të kufizuar, kështu “Jampalla Gostivara”, e mbajmë kontrollin ku do ti dhe bëjmë qejf me kë të duam. Dhe unë qesh bashkë me të dhe që të jem i sinqertë, deri diku edhe jam dakord me të, sepse nëse do të jemi realistë shqiptarët kontrollojnë faktikisht gjithçka në shtet. Dhe në fund na del se maqedonasit vetëm japin aminin për atë që shqiptarët e vendosin si synim. Larg asaj se një gjë e tillë është për t’u tallur, ose për ndonjë lloj “ulje”, duke pasur parasysh kaosin në kampin politik maqedonas, por realisht, ky tipi ka të drejtë. E çfarë të duhet federalizmi! Po jepi të gjitha!!! “All inclusive”, ashtu si në pushimet në Turqi.
Maqedonia në momentin që flasim ka një ambient të tillë që nëse shohim përmes mikroskopit tema e vetme që lidhet me interesin shtetëror mbi atë partiak, është procesi eurointegrues, në të cilin, pa dallim se kush do të ishte në pushtet do të duhet të luajë sipas atyre notave që i bie unioni evropian. Brenda taratorit kaotik socio-ekonomik në të cilin gjendet vendi, bota e politikës po përjeton renesancën e asaj që quhet “shiko prapanicën tënde”, ndërsa për shtetin do të kujdesen evropianët. Ne, sidoqoftë, kërcejmë çoçek sipas curleve dhe daulleve të tyre, por ndërkohë na lejoni të shohim sesi mund të jemi të sigurt në botën e privilegjeve tona, benifiteve dhe kontrollimit të terrenit. Një biznes i tillë nuk duhet të iki nga dora. Nëse shohim me seriozitet, anën shqiptare as miza nuk e prek, për një arsye të thjeshtë që për dallim nga pjesa maqedonase, sado që edhe sytë t’ia nxjerrin njëri-tjetrit sa i takon “shqiptarisë” është e bashkuar dhe kjo është një prej gjërave kyçe pse kampi shqiptar politik është në avantazh para maqedonasve. Ndjesia nacionale është monolite, e fortë dhe e pathyeshme. Dhe ajo që në një vend multietnik, praktimi i principit monoetnik të funksionimit politik, është ndonjëherë kontra produktiv për shtetin, kjo është një çështje tjetër. Nëse do të ishim akoma edhe më të sinqertë dhe analitikë, maqedonasit në përgjithësi nuk i japin shembull shqiptarëve sesi duhet shteti, nëse merret parasysh theksimi i “vijave të kuqe” të dinjitetit dhe integritetit. Dhe në një konstelacion të tillë raportesh të gjithë luajnë apolitikë komode në shtetin që është etabluar që të jetë realisht bashkëkohore, funksionale dhe me bereqet. Që kur praktika na tregoi se në Maqedoni shteti nuk është për secilin, sidomos për një popull që nuk di sesi organizohet ai, shteti u shndërrua në një fushë fantastike për përjetime të ëmbla benifitesh të demokracisë bashkëkohore, që i jep mundësinë gjithkujt që të provojë.
Le t’i kthehemi titullit të kolumnës dhe të sqarojmë se çfarë është shteti, e çfarë është “prapanica jote”. Nuk është hera e parë që diskutojmë për interesat e shtetit në Maqedoni që janë vendosur prej shumë kohësh në plan të dytë për llogari të “prapanicave të veta” të gjigandëve të skenës politike. Me gjigandë nënkuptoj partitë e mëdha, të cila edhe pas tridhjetë vitesh ende funksionojnë sipas sistemit ” vetëm unë të vij në pushtet, po sesi do t’i zgjidhim problemet do ta shohim pastaj” ! Kjo është kaq e dukshme në Maqedoni, që nuk të duhet të jesh gjeni analitik që të kuptosh se është kështu. Hajde të shohim se ku është rrënja e poentës “shteti apo prapanica jote”! Nga fillimi. Në start le të themi dhe të vërejmë se prej shumë kohësh sintagma ” shqiptarët e kanë fajin”, nuk është më në lojë. Nuk mban më ujë, pasi që konsekuenca që e përjetojmë si një shtet i dëshpëruar nënkupton se në Maqedoni janë ndërruar shumë qeveri, shumë kryeministra dhe shumë elementë të vendimmarrjes në të cilat maqedonasit e kishin fjalën kryesore. E tani ka ardhur koha në të cilën shqiptarët jo vetëm që erdhën në të njëjtën rang me maqedonasit, por madje morën edhe rolin e faktorit pa pëlqimin dhe vendimin e të cilit nuk mund të bëhet asgjë në shtet. Kjo i faturohet paaftësisë së maqedonasve që në një mënyrë koherente vetëm rrinë në pozicionet e tyre Тqë nënkuptojnë kontrollim të qëndrueshëm të pozicioneve të tyre. Nejse. Nuk është kjo tema. Tema është diçka krejtësisht tjetër. Ky ishte nga një këndvështrim etnocenrik.
Mendoj se nuk duhet të analizojmë veçmas se deri ku ka shkuar socio-tragjedia e Maqedonisë. Kjo socio-tragjedi vjen nga mungesa e kriteriumeve se çfarë është prioritet në politikbërjen e një vendi që fillimisht i duhet të zhvillohet. Dhe një gjë e tillë ndodh sepse praktika na tregon se askush në thelb nuk e do këtë shtet. E kemi analizuar shumë herë këtë, por vetëm sa të sjellim në vëmendje se kështu flasim spese po të ishte më ndryshe gjithçka do të ishte seriozisht më ndryshe. Askush, por absolutisht askush fare nuk u mor seriozisht që të krijojë një shtet të shëndetshëm social, jo pse nuk kishte dëshirë, por sepse nuk ishte i aftë. Që të arrinte dikush që të formonte një shtet të shëndetshëm social, i tërë etnokoloriti do të kishte një ndjesi më ndryshe edhe ndaj shtetit, edhe ndaj përditshmërisë. Dhe kështu arritëm në një situatë paradoksale në të cilën as vetë nuk dinë sesi funksionon shteti në një situatë kaotike të skenës politike. Suksesi i vetëm që mund të thuhet është fakti se kemi hyrë në “trasenë e Evropës”. Ky është një fenomen që në relacionin Evropë- Maqedoni nuk ka nevojë për politikbërje kreative, por duhet vetëm të ndiqet se çfarë pritet prej nesh. Një gjë e tillë i lejon shumicës së politikanëve që në përgjithësi të mos kenë nevojë për “politikën e vet”, por vetëm të ndjekin rregulla që i rrinë si detyrë politike pune. Kjo është kundrejt “jashtë”. Në ndërkohë NATO i garanton kufijtë dhe neve na e japin në pjatë shtetin për të cilin as që kemi nevojë të kujdesemi se mos na e copëton dikush. Shkëlqyeshëm! E tani këtu fshihet lepuri i analizës. Një për ” jashtë” dhe një për “brenda, në shtëpi”. Kundrejt jashtë ekziston linja standarde e të sjellurit që nënkupton diplomacinë ndaj Evropës, në të cilën ajo i vendos rregullat. Nga pala maqedonase nuk ka nevojë për shumë “filozofim”! Çfarë të duhet? Bujrëm! Mirë, por problemi është në një nivel tjetër të politikës, që është ajo për “brenda”. E kjo politikë në thelb është pasqyra më e vërtetë e Maqedonisë.
Ku është shteti dhe ku është prapanica? Ja ku është! Derisa shteti është lëshuar në rrjedhën e lumit të quajtur eurointegrime, ai si kështu, si ashtu e ka marrë drejtimin. Por! Brenda shteti përjeton një frazë qesharake që thotë ” ku është fundi?…fundi është mbi ne”. Ne kemi arritur nën fundin. Në një situatë të tillë, të “rrëzuar nën fund” politikanët përveçse ta ruajnë prapanicën e tyre nuk mendojnë për asgjë tjetër, por as nuk kanë ndonjë qëllim. Në momentin aktual askush nuk mendon për asgjë tjetër përveçse si të mbijetojë. Madje edhe BDI, që mbahet si “drejtori në hije i ndërmarrjes” nuk është e sigurt për veten e vet, nëse kemi parasysh se ka më shumë parti politike shqiptare sesa i nevojitet popullit shqiptar, kauza është realizuar, dhe shumë shpirtra kanë dëshirë të marrin pozitën e faktorit shqiptar udhëheqës. Në betejën për pushtet është krejtësisht e mundur që të bashkohet opozita politike shqiptare kundër BDI. Në ndërkohë, me iniciativat më të forta e të shpeshta të opozitës për zgjedhje parlamentare të parakohshme na sjellin në një frikë serioze se në rast se do të ndodhin shumë gjëra do të ngatërroheshin dhe shumë personazhe do të duhet të zhdukeshin nga skena. Realisht, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të ndryshonin absolutisht asgjë, sepse problematika socio-ekonomike që është tejet e madhe nuk mundet, askush, absolutisht askush që ta ndryshojë, derisa nuk do të çrrënjoste korrupsionin, kriminalitetin, nepotizmin, partizimin dhe treqind finta të tjera që u sjellin profit. E kush do ta ndryshonte. Në skenën politike pushtetin e ka mafia, dhe jo platformat e shëndosha politike, programet dhe drejtimet.
Helmi ka depërtuar në të gjitha poret e mundshme të shoqërisë. Kontrolli i tërësishëm i shoqërisë sipas principit të çelësit partiak është pozicioni që secila anë e mbron në mënyrë konvulsive. Kjo është fuqia! Këto janë bizneset! Këto janë paratë! Cili i çmendur do të lejonte që e gjithë kjo të shkërmoqej. Askush. Në ndërkohë ndërtimi i një shteti të shëndoshë social dhe kujdesi për interesat sociale të popullit nënkupton konsensus mes partive. Madje nëse ka nevojë edhe një koalicion i zgjeruar në interes të zgjidhjes së problemeve që lidhen me jetën e popullit. Por si mund të ketë konsensus nëse pozicionet e partive bien ndesh me interesat në terren. Të gjitha palët duhet të gëlltisin nga një kompromis, por nuk kanë dëshirë. Dhe atëherë si mundemi që të mos definojmë se askush nuk e do shtetin !? E kam gabim!? Jo! Si mundemi atëherë që të mos ngremë pyetjen se kush janë më të rëndësishme interesat shtetërore, shteti ose “prapanica e vetë”. Maqedonia është një punëtori politike rurale në të cilën prodhohet gjithçka përveç jetës cilësore. Drejtori që rri në Kala dirigjon, Evropa tallet, Bullgari kërcënon, dhe ne i matim “Hashimat”, zihemi se kush është më shumë Katolik se Papa, …populli është i uritur, i dëshpëruar, totalisht ka shkuar në p…m…! Shteti!?… Hajde shikoje prapanicën tënde! Shiko të bësh filma, shiko të të quajnë “zotëri”…, edhe sikur me zor, edhe sikur të tallen!! Shteti!,… po ça shteti!
ООО XHEMAT !… Absolutisht të mos e skicojmë se çfarë është shteti ! Si ka mundësi të jesh kaq budalla! Ma shpife,…MARSH NË SHTËPI!… SOJ PRIMITIV!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)