Shtetet që dënonin me vdekje puthjen në publik

Në disa shtete të Europës puthja në publik ishte e ndaluar me ligj, madje shumë të rreptë, saqë çonte deri në vdekje. Ka qenë pikërisht data 9 Mars e vitit 1562 ku  Napoli i Italisë ndaloi që njerëzit të putheshin në publik. Nëse autoritetet shihnin ndonjë çift duke u puthur, atëherë pasonte dënimi me vdekje.

Shkak për ndalimin e puthjes ishte morali, por edhe transmetimi i sëmundjeve që në atë kohë ishin shumë të larta, pasi murtaja kishte shkaktuar shumë viktima. Përgjatë historisë kontrollimi i marrëdhënieve seksuale ka qenë shpesh pjesë e censurave.

Në Britani të Madhe në vitin 1439, Mbreti Henry VI ndaloi puthjen, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e një sëmundjeje në mbretërinë e tij. Por censura të tilla vazhduan edhe me vonë. Në vitin 1910 Franca ndaloi puthjet në stacione sepse konsideronin që ky veprim po vononte mjetet e transportit publik.