Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 tetor – Studimet mbi dukurinë e migrimit, sidomos në kohë të paqes, do të kenë tani e tutje mundësinë e qasjes në studime dhe analiza serioze, si ai i profesor Edvin Pezos nga Universiteti i Regensburgut, Gjermani. Libri me titull “Migrimet e detyrueshme në kohë të paqes: Politikat migruese jugosllave dhe emigrimi i myslimanëve drejt Turqisë (1918-1966)” është promovuar të martën në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, duke zgjuar kureshtjen e pjesëmarrësve të Konferencës së parë ndërkombëtare “Migrimi në Maqedoni: historia, demografia dhe marrëdhëniet ndëretnike”, shkruan gazeta KOHA.
Profesor Pezos që librin e ka nisur si hulumtim për disertacionin e doktoraturës, e trajton migrimin e popujve mysliman, gjegjësisht shqiptarë, boshnjakë, torbeshë turk dhe tjerë jo sllavë, mbështetur në të dhënat e arkivave të Beogradit, Shkupit, Zagrebit, Tiranës si dhe Uashingtonit. “Analiza e dr.Pezos hedh dritë mbi statistika dhe politika të rëndësishme të kohës dhe shpalos fakte mbi migrimet e popujve që kanë efekte edhe në politikat e viteve më të vona”, u tha mes tjerash në promovimin e këtij libri.
Për Pezos nuk ka asnjë dyshim se migrimet masive të popullatës myslimane janë pasojë e albanofobisë, e cila dominoi politikat shtetërore në hapësirat e ish-Jugosllavisë, të periudhave të ndryshe nga viti 1918 deri në vitin 1966, të cilat i merr në analizë. Qëllimi thotë se ishte spastrimi i këtyre shteteve nga popullsia myslimane, sidomos shqiptare. Për këtë, të gjithë ata që migruan në Turqi përmes marrëveshjeve shtetërore, ishin popullsi nga pjesa jugore e Jugosllavisë. “Nuk mendoj se politikat e migrimit kanë të bëjnë me islamofobinë. Islamofobi – nuk ka. Albanofobi – po”, shprehet Pezos. Në librin e tij shpalosen të dhëna interesante, si për numrin e migrantëve ashtu edhe për shkaqet të cilat shoqëruan disa valë shpërnguljesh masive të shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe pjesa jugore e Serbisë. 800.000 deri 900.000 është numri i popullsisë myslimane të shpërngulur në vitet ’50-ta të shekullit të kaluar. Sakaq, në shpërnguljen që pasoi Konventën e 1938-ës, të nënshkruar nga Jugosllavia dhe Turqia, janë shpërngulur vetëm brenda një viti 40.000 familje apo 200.000 persona të moshës madhore, pa llogaritur këtu fëmijët. Në frymën e këtyre politikave, Pezos argumenton se ka pasur bashkëpunim edhe mes Serbisë dhe Maqedonisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Shpërngulja e popullsisë jo sllave, pra shqiptare në mase më të madhe, thotë se ishte qëllimi i takimeve mes Aleksandër Rankoviçit të Serbisë dhe Kërste Cërvenkovskit të Maqedonisë dhe, për këtë, sjell faksimile të takimeve të zhvilluara në vitin 1953 dhe 1955.
Aspekti sociologjik dhe momenti psikologjik që ishte krijuara në masë, sipas tij, nuk duhet anashkaluar. Tetova, për shembull, thotë se është një rast i mirë për të parë ndikimin që kishte elementi social. Në këtë kohë, sipas regjistrimeve të vitit 1953, qyteti i Tetovës kishte 68 për qind popullsi shqiptare. Ndërkaq, numri i shqiptarëve të punësuar në po këtë qytet, nuk kalonte 7 përqindëshin. Por, përveç presioneve që kanë të bëjnë me pa punësinë, shkallën e lartë të varfërisë si edhe mohimin e të drejtave për të kremtuar festa kombëtare, gjegjësisht fetare në ndihmë të shpërnguljeve masive, profesor Pezos thotë se është përdorur edhe dhuna shtetërore. Për të argumentuar këtë, ai sjell në vëmendje operacionet e gjëra të konfiskimit të armëve në qytete të madha të banuara me shqiptarë, si Tetova apo Prizreni. Por, plotëson më tej ai, nuk duhet nënvlerësuar edhe aspekti psikologjik që u imponua në atë kohë, pra që pas shpërnguljeve masive ata që mbetën nisën të synojnë Turqinë, për të mos ngelur të vetmuar në një botë jomyslimane. Shteti shqiptar, sipas tij, ishte përpjekur të ndalojë shpërnguljet e shqiptarëve nga hapësirat e Jugosllavisë në atë kohë, mirëpo nuk ia kishte dalë dot. Nuk kishte as konsullata në Kosovë e Maqedoni. Kishte vetëm një ambasadë në Beograd.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.