Demokrati, Joe Biden, bëri betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Biden teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.
Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.
Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.
Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit. Ish-presidenti, Donald Trump, nuk mori pjesë në ceremoni, por aty ishte ish-nënpresidenti, Mike Pence.