Referendumi i vjeshtës është një shans reale të demonstrohet edhe njëherë rëndësia e faktorit shqiptar, duke “ofruar” (e jo vetëm duke “mos u pajtuar”), zgjidhje konkrete që do ta fuqizonin këtë dimension faktorizues. Gjithkush që refuzon një ide politike, duhet ta zëvendësojë me një ide tjetër. Bile edhe kjo nuk mjafton
Nga Emin AZEMI
Shtetësia dhe etnia, nuk janë e njëjta gjë. Ti mund të jesh shtetas i një shteti, por kjo nuk nënkupton me automatizëm se shtetësia është sinonim i përkatësisë etnike. Pra, me fjalë të tjera, ti me shtetësi mund të jesh amerikan, por me etni shqiptar. Pse ngatërrohen këto nocione, kur dihet se bota këto gjëra i ka rregullu para nesh. Nëse me marrëveshjen e re Shkup- Athinë përcaktohet shtetësia e atyre që banojnë në Maqedoninë e Veriut, kjo në asnjë mënyrë nuk do të duhej të na shqetësojë neve si shqiptarë, sepse, si edhe deri më tani, etnia jonë edhe në të ardhmen nuk do të evidentohet nëpër pasaporta.
Identiteti shtetëror nuk e përjashton atë etnik nëse ky raport rregullohet shumë qartë në kushtetutën e vendit. Nëse përkatësia etnike e shqiptarëve shkrihet në identitetin shtetëror dhe kjo ngrihet në kategori kushtetuese, atëherë ky është problem. Ndryshimet kushtetuese që priten të ndodhin do të duhej të kuptohen si detyrime të Shkupit zyrtar kundrejt Greqisë në të gjitha ato dimensione ku mund të ketë indicie për pretendime të mundshme territorial. Por, në asnjë mënyrë statusi i shqiptarëve nuk paraqet kurrfarë pretendimi territorial ndaj Greqisë nëse ai inkorporohet me të gjitha atributet shtetformuese që në instancë të fundit nuk e prishin kohezionin e brendshëm të shtetit.
Mund të del ndonjë ministër grek dhe ti ftojë shqiptarët të mos dalin në referendum, se gjoja ata “nuk ndjehen mirë në një shtet sllav”, por qëllimi i këtij apeli ka konsum të brendshëm politik, sepse ai synon të dështojë kjo marrëveshje, jo për të mirën e shqiptarëve, por për të mirën e partisë së tij e cila çamët i quan “kriminelë” dhe “bashkëpunëtorë të nazistëve”. Nacionalizmi i këtyre ministrave grekë i adresohet elektoratit në Greqi dhe fare pak halleve e problemeve tona këtu.
Shqiptarët në Maqedoni mund të kenë një mijë e një arsye për të mos dalur në referendumin e vjeshtës, por ata nuk kanë as zero arsye të bëhen leva që lëvizin dhe përmbysin baraspeshat politike në Greqi. Aq më pak, të bëhen levë e një nacionalisti ( ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos), duke rënë në grackat e gjoja përkujdesve të tija ndaj të ardhmes së shqiptarëve të cilët “nuk duhet të jetojnë në shtet sllav”. Në Ballkan në të kaluarën kishte më shumë përpjekje për të bërë aleanca që bashkon të këqijat e përbashkëta, se sa beteja të përbashkëta për sëpecifika të veçanta që si pikësynim kanë të ardhmen më të mire. Edhe në Greqi ka kundrështarë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Athinës e Shkupit, ashtu siç ka në Beograd plot fundërrina nga koha e Millosheviqit të cilët kohën ende e masin me aksionin e koduar “Patkoi”, që si synim kishte pastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Kopje të tilla millosheviqiane ka edhe në Shkup dhe të gjithë së bashku këta eksponentë të nacional-shovenizmit ballkanik duan ti frenojnë proceset euro-integruese, në favor të agjendave të tyre proruese e anti-NATO.
Shqiptarët në Maqedoni duhet të luftojnë politikisht e kulturalisht që të bëhen pjesë e këtij shteti, jo si qiraxhinj, por si pjesë integrale e shtetndërtimit, duke u bërë kështu faktor stabiliteti dhe integriteti për të mirën e tyre dhe të tjerëve. Referendumi i vjeshtës është një shans reale të demonstrohet edhe njëherë rëndësia e faktorit shqiptar, duke “ofruar” (e jo vetëm duke “mos u pajtuar”), zgjidhje konkrete që do ta fuqizonin këtë dimension faktorizues. Gjithkush që refuzon një ide politike, duhet ta zëvendësojë me një ide tjetër. Bile edhe kjo nuk mjafton. Duhesh të grumbullosh rreth vetes një masë kritike njerëzish (të paktën nja 100 mijë veta) që do ta përqafonin atë ide. Cili nga kundërshtarët e referendumit mund ta bëjë këtë. Nëse e bënë, unë do të jem i pari që do ti bashkangjitem. Nëse jo, do të jem i fundit. Edhe-edhe nuk ka. Edhe të kundërshtosh, edhe të rrish në shtëpi të “punosh në Facebook”. Dhe pastaj ku mbeti mobilizimi politik?! (koha.mk)