Shtetasi turk Muhammed Yasir Aydogmus (Muhammed Yasir Aydoğmuş), i arrestuar në Durrës, disa ditë më parë, rezulton të jetë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për “lidhje me organizatë terroriste”, raporton Anadolu Agency (AA). Drejtoria e Policisë së Durrësit ka konfirmuar zyrtarisht se është bërë arrestimi i përkohshëm i tij, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.
“Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim më Zyrën e Interpolit Tiranë u evidentua se shtetasi turk Muhammed Aydogmus ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste(lidhje me organizatë terroriste) dhe kërkohej nga Turqia. Muhammed Aydogmus u arrestua dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin në Portin e Durrësit në drejtim të Italisë me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit. Ndaj të arrestuarit fillimisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje dhe lënie garancie pasurore” për veprat penale “Falsifikimi i letër njoftimeve i pasaportave ose i vizave” dhe ”Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Por policia ka konfirmuar se pas njoftimit të marrë nga Interpol Tirana u kryen procedurat mbi arrestimin e përkohshëm të tij, pasi kërkohej nga shteti turk për “organizatë terroriste”. Kujtojmë se Policia e Durrësit ndaloi disa ditë më parë, shtetasin turk, së bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, në tentativë për të kaluar kufirin me pasaportë të falsifikuar. Bashkëshortorja e shtetasit turk të arrestuar bashkë me fëmijët janë dërguar në Qendra Kombëtare Pritëse për të Huajt në Babrru të Tiranës, dhe ku do të qëndrojë aty deri në përfundim të procedurave ndaj saj. Personi në fjalë supozohet të jetë nga një ekip “trollësh” në internet i cili ka siguruar informata për llogarinë “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, që vitin e kaluar ishte zbuluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit.