Bernë, 29 tetor – Prokuroria zvicerane publike ka ngritur akuzë kundër dy personave, ku njëri është shtetas nga Zvicra dhe Maqedonia e Veriut, nën dyshimin për rekrutim të luftëtarëve nga radhët e grupit xhihadist, Shteti Islamik (SHI), raporton KOHA.
Prokuroria publike e Zvicrës ka njoftuar se dy të dyshuarit ngarkohen për “mbështetje dhe anëtarësim” në SHI, përfshirë edhe përhapjen e propagandës së grupit xhihadist. Të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë zbardhur në interes të hetimeve, kanë jetuar në pjesën veriperëndimore të Zvicrës.
Shtetasi nga Zvicra dhe Maqedonia e Veriut është arrestuar pasi ka tentuar të udhëtojë për në Siri, përmes territorit të vendit. Ai është i dyshuar se ka rekrutuar një luftëtarë në SHI.
I dyshuari i dytë, me dy shtetësi zvicerane dhe italiane, ngarkohet se ka qëndruar në territoret nën kontroll të SHI-së në Siri me çka është kthyer në Zvicër ku ka rekrutuar disa persona të luftojnë në radhët e grupit xhihadist.
Hetimi kundër shtetasit nga Zvicra dhe Italia ka filluar në shkurt 2015, ku më vonë ajo është përhapur edhe në të dyshuarin e dytë. (koha.mk)