Pasojat më të mëdha nga mos pagesa e kontributeve ndjehet tek të punësuarit në Ndërmarrjen komunale “Standardi” në Dibër. Për fat të keq, punëtorët e kësaj ndërmarrje edhe gjatë periudhave që kanë qenë sëmurë, nuk kanë mundur të përfitojnë këtë të drejt kushtetuese dhe shpesh herë për t’u shëruar, kanë paguar nga xhepat e tyre
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 janar – Problemi i mos pagesës të kontributeve për sigurim pensional dhe invalidor, por edhe shëndetësor në Dibër dhe Qendër Zhupë shkakton shqetësime tek shumë punëtorë. Është një problem i cili lë pasoja të mëdha tek punëtorët, sidomos ata të cilët janë para pensionit. Mbi dhjetë subjekte juridike në Komunën e Dibrës ballafaqohen me problemin e mos pagesave të kontributeve meqë kanë probleme të shumta financiare. Por, më të goditur janë ndërmarrjet komunale.
Në Njësinë e Fondit për sigurim shëndetësor në Dibër na informuan se problemi kryesor në këtë sferë është mos pagesa e kontributeve në ndërmarrjen komunale “Standardi”. Drejtori i këtij Fondi, Fuat Spahiu, thotë për gazetën KOHA se në ndërmarrjen komunale publike “Standardi”, kontributet në sferën e sigurimit shëndetësor nuk janë paguar nga viti 2002 deri në viti 2008, meqë pas këtij viti, regjistrimi i kontributeve bëhet në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Po ashtu, sipas Spahiut, probleme me mos pagesën e kontributeve ka edhe në ndërmarrjen komunale publike “Kale” në Qendër Zhupë. Njëherësh, pa paguar kontribute janë edhe disa firma private, të cilët kanë pak punëtorë, ose kanë falimentuar. Drejtori i Njësisë të këtij Fondi thotë se në fundvit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dha dritë jeshile për tejkalimin e problemit me sigurimet shëndetësore në ndërmarrjet komunale. “Kjo do të thotë se priret shumë shpejt që edhe punëtorët e ndërmarrjeve komunale që veprojnë në Dibër dhe Qendër Zhupë, të tejkalojnë problemin në fjalë”, thotë Spahiu.
Pasojat më të mëdha nga mos pagesa e kontributeve ndjehet tek të punësuarit në Ndërmarrjen komunale “Standardi” në Dibër. Për fat të keq, punëtorët e kësaj ndërmarrje edhe gjatë periudhave që kanë qenë sëmurë, nuk kanë mundur të përfitojnë këtë të drejt kushtetuese dhe shpesh herë për t’u shëruar, kanë paguar nga xhepat e tyre. Drejtori i ndërmarrjes u ka dalë për krah rasteve urgjente, por të drejtën të shëndetësisë duhet ta gëzojnë të gjithë, meqë këtë e garanton Kushtetuta, thotë Dalip Mashkulli, udhëheqës i Këshillit grevist në këtë ndërmarrje. “Kishim protesta pikërisht për këtë të drejtë dhe tani shpresojmë se ndërmarrja komunale do ta tejkalon problemin për mbrojtjen shëndetësore”, shton Mashkulli.
Nga ana tjetër, drejtori i Ndërmarrjes “Standardi”, Mazllum Lleshi, shprehet se janë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet që punëtorët e Standardit të përfitojnë të drejtën në shëndetësi e më vonë – të tentohet të paguhen kontributet edhe për sigurimin pensional invalidor. Në këtë ndërmarrje, për një pjesë të punëtorëve nuk janë paguar kontributet mbi 12 vite. Aktualisht, ndërmarrja ka afro 100 të punësuar, të cilët për çdo ditë kanë probleme me sigurimin shëndetësor, pensional dhe invalidor. Problemet me mos pagesën e kontributeve në ndërmarrjet komunale në dy komunat kanë qenë çështje debati disa herë edhe në këshillat e komunave, dhe janë trajtuar edhe nga kryetarë të komunave, të cilët angazhohen për tejkalimin e problemeve në këtë sferë. (koha.mk)