Një prej shteteve më të vogla në Evropë, por rrogat janë më të mëdha madje edhe se në Gjermani. Luksemburgu është një prej shteteve me standard më të lartë, ku jetojnë 30 për qind të huaj. Në mes tyre është një numër i konsiderueshëm i njerëzve të cilët kanë shkuar nga Ballkani Perëndimor, dhe, natyrisht mjaft shqiptarë. Ajo që na tërheq është se në Luksemburg rroga kurrë nuk është nën 2.000 euro. Në fillim njerëzit tanë janë marrë kryesisht me ndërtimtari. Por, gjeneratat e reja, pasardhësit e ndërtimtarëve, tashmë punojnë si arkitektë, profesorë, mjekë apo biznesmenë. Në raport me shtetet tjera rreth Luksemburgut, me Gjermaninë, Belgjikën apo Francën, ku rrogat mesatare janë 1200-1300 euro, Luksemburgu është një shtet më i mirë sa i përket rrogave. Sipas të dhënave të fundit, rroga minimale në Luksemburg është 2.000 euro, ndërsa ligje të posaçme mbi të drejtat dhe obligimet e imigrantëve nuk ekzistojnë, kështu që iu mundëson shtetasve të huaj trajtim të njëjtë në punësim dhe politika sociale si edhe për qytetarët e tjerë. Në këtë shtet të vogël, prodhimi bruto vendor është 14 miliardë dollarë, ndërsa për kokë banori rreth 40.000 dollarë, gjë që këtë vend e rendit në një prej shteteve më të pasura në botë.