Një shtet është aq i pasur dhe arrin të rrisë standardin qytetarëve, aq sa arrin të rregullojë si duhet funksionimin e shoqërisë në të gjithë pikëpamjet si në gjyqësor, arsim shëndetësi, infrastrukturë rrugore, e kështu me radhë
Nga Fisnik PASHOLLI
Analizat e ndryshme tregojnë se nga shtetet e reja anëtare të Bashkimit Evropian, disa po i afrohen më shpejt standardit të Evropës, ndërsa shtetet e tjera më ngadalë po e zvogëlojnë hendekun e mirëqenies midis Evropës së re dhe Evropës së vjetër. Analiza e fundit e Deutsche Bank tregon se Sllovenia, Sllovakia, Bullgaria, Çekia, Kroacia, Rumunia, Hungaria, Polonia, Estonia, Lituania, përkundër dobësive të caktuara megjithatë në mesatare në vitin 2018 kanë pasur rritje prej 4.3 për qind dhe 4.8 për qind në vitin 2017 të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo nënkupton se këto shtete në total në vitin 2013 kanë pasur 41 për qind të PBB-së evropiane, ndërsa në vitin 2018 kanë pasur 46 për qind për kokë banori të PBB-së, si dhe rritje të fuqisë blerëse prej 67 në 72 për qind të mesatares evropiane.
Mirëpo shtetet si Kroacia prej vitit 2013 deri në vitin 2018 kanë rritur PBB për kokë banori prej 60 në 63 për qind të mesatares evropiane . Nga ana tjetër, Rumania që para viteve 90-të renditej ndër shtetet më të varfra të bllokut socialist, 27 vjet më vonë jo vetëm që ka standard më të mirë se Maqedonia, Serbia, Mal i zi, dhe Bosnje e Hercegovina , por ka tejkaluar për mirëqenie edhe Kroacinë. Gjithashtu fuqia blerëse e qytetarëve të Çekisë dhe Sllovenisë gjendet në nivelin e 90 për qind të BE-së. Bile , Rumania sipas konsumit individual me 63 për qind të mesatares evropiane në vitin 2016 e len pas edhe Kroacinë me 59 për qind të konsumit individual.
Në ndërkohë, analizat tregojnë se Maqedonia e veriut, me një rritje të vogël që në mesatare lëviz 2.5 deri 3 për qind në 25 vitet e kaluara do ti duhet bile 75 vjet që të arrijë nivelin e të ardhurave të Bashkimit Evropian.
Për ne si shtet dhe shoqëri , sfidë mbetet integrimi më i fuqishëm euroatlantik si rrugë e vetme për përmirësimin e standardit të qytetarëve. Këtë e mbështesin edhe analiza të ndryshme siç është ajo e Bundes Bankës gjermane sipas së cilave, zhvillimi i mirëfilltë ekonomike i shteteve të reja evropiane ndërlidhet me të madhe, por edhe varet edhe nga këmbimi ndërkombëtar i një shteti apo eksporti i tij, si dhe integrimi i një shteti në tregun e përbashkët evropian.
Tek ne, në kushtet e plakjes së popullatës, ikjes së të rinjve jashtë shtetit që shkakton edhe mungesën e kuadrit për punë, hendekut të madh midis eksportit dhe importit apo minusit të madh në eksport që duhet të mbulohet në mënyra të tjera, numrit akoma të lartë të papunëve, si dhe raportit të pavolitshëm midis atyre që mbushin arkën e shtetit dhe atyre që e harxhojnë atë, nevojitet një model i ri zhvillimi që do të merr parasysh të gjitha treguesit dhe faktorët në shtet si ato demografik, rajonal e kështu me radhë .
Në radhë të parë nevojiten rregulla të qarta të lojës ku qytetarët nuk do të presin vazhdimisht që njëfarë “shpëtimtari”, me një shkop magjik do të zgjidhë problemet e tyre, por nevojitet që më në fund të funksionojnë të gjitha hallkat e sistemit nga poshtë deri lartë dhe anasjelltas.
Apo na duhet një shtet i rregulluar, ku nuk do të nevojitet që edhe për imtësi shpesh edhe banale të kërkohet një lidhje për të kryer punë. Me fjalë të tjera, një shtet është aq i pasur dhe arrin të rrisë standardin qytetarëve, aq sa arrin të rregullojë si duhet funksionimin e shoqërisë në të gjithë pikëpamjet si në gjyqësor, arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore, e kështu me radhë. (koha.mk)