Në opinion ende ekzistojnë dallime mes konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe aty “Një shtet për të gjithë”. Për derisa një pjesë është e mendimit se nuk mund të ketë dallime mes këtyre dy koncepteve, një pjesë e opinionit mendon se koncepti “Shtet për të gjithë” është më i arritshëm dhe më funksional. Sipas tyre, zhvillimi i barabartë rajonal, reformat në sistemin arsimor, reformat thelbësore në shëndetësi, ambienti jetësor, pushtet lokal i fuqishëm dhe zhvillimi rural, janë karakteristika të konceptit “Shtet për të gjithë”
Destan JONUZI
Shkup, 26 shtator – Në pritje të konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian (BE) dhe hapjen e kapitujve për anëtarësim, thelbi është vënë në kapitullin 23 dhe 24 ku flitet për sundimin e së drejtës dhe lirit dhe të drejtat e njeriut. Drejtësia selektive dhe akuzat për raste të montuara gjyqësore në të cilat në të shumen e rasteve shqiptarët kanë qenë viktimë e padrejtësisë, kanë bërë që në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare Maqedonia të apostrofohet si shtet ku mungon sundimi i së drejtës, si dhe vend në të cilin nuk respektohen lirit dhe të drejtat e qytetarëve. Në anën tjetër, nga vitit 2017 e këndej, me ardhjen në pushtet të LSDM-së, e cila fitojë zgjedhjet atëherë edhe me ndihmën edhe të votuesve shqiptarë, kjo parti po promovon konceptin “Një shoqëri për të gjithë”. Ndërkohë edhe gjatë mandatit të parë të LSDM-së, por edhe në këtë mandat ky koncept nga opinioni konsiderohet si i paarritshëm dhe jo produktiv.
Po, për çfarë koncepti në të vërtet ka nevojë Maqedonia? Për konceptin “Një shoqëri për të gjithë, apo për konceptin “Shtet për të gjithë”! Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë në prononcim për gazetën KOHA vlerëson se Maqedonia e Veriut, ka nevojë për dyja konceptet. “Maqedonia e Veriut ka nevojë për të dy konceptet, edhe për njërin edhe për tjetrin. Është shtet shumë-etnik, multi-kulturor, shoqëri e hapur për të gjithë dhe shtet i të gjithëve. Po ka nevojë për të dy konceptet me qëllim që qytetari të ndjehet i sigurt dhe i barabartë në këtë vend”, thekson Beqiri.
Edhe profesori universitar Mersim Maksuti thotë se mes konceptit “Shoqëri për të gjithë” dhe “Shtet për të gjithë” vështirë mund të bëhet dallimi, por shton se shteti duhet të vihet në mbrojtje të zbatimit të ligjit në germë dhe frymë, pa anime-etnike. “Çështja se a jemi më shumë për konceptin ‘Shoqëri për të gjithë’, apo “Shtet për të gjithë, këtë nuk mund ta shoh të ndarë ngase këto dy koncepte shkojnë së bashku. Kjo do të thotë se, koncepti ‘Shoqëri për të gjithë’, që promovon vlerën e barazisë së përgjithshme, por edhe të asaj ndëretnike, merr formën e saj të plotë kur këto vlera janë të ndërtuara drejt në ligjet dhe organet ligjzbatuese të këtij vendi, si dhe në karakterin sanksionues të shtetit i cili duhet të vihet në mbrojtjen e tyre”, deklaroi për KOHA, Maksuti.
Në anën tjetër, ndryshe mendon ish-deputeti Zudi Xhelili. Ai vlerëson se në Maqedoni ka probleme serioze, dhe se gati asgjë nuk funksionon. Andaj, sipas tij, vendi më shumë ka nevojë për konceptin ‘Shtet për të gjithë’. “Shtet të bazuar në barazinë e plotë të bashkësive shtetformuese, shtet të së drejtës, shtet me prosperitet dhe zhvillim të barabartë ekonomik, integrim rajonal dhe evropian. Kuptohet pastaj se edhe shoqëria shumë-etnike reflektohet në ndërtimin e një shteti shumë-etnik. Parlamenti me dy dhoma, njëra e bashkësive etnike, dhe tjetra përfaqësuese do të mundësojnë barazi të plot në përpilimin e ligjeve. Shoqëria për të gjithë nuk është garanci e sigurt për barazi të plotë në fusha esenciale siç janë, përfaqësimi i drejt, zyrtarizmi i plotë i gjuhës shqipe, barazia ekonomike apo avancimi kulturor për të gjithë. Ne kemi në Kushtetutë popull pa emër dhe gjuhë që flasin mbi 20% e popullsisë”, potencon Xhelili. Në “Një shoqëri për të gjithë”, shton ai, kemi prokurori dhe gjykata që palët e tyre në shumicën e rasteve janë nga 20%-shi i popullatës. “Shoqëria për të gjithë është eksperiment që e kemi parë në sistemin komunist, shtet për të gjithë është koncept që do të duhet ta ndërtoj një shtet demokratik me vlera properëndimore. Zhvillimi i barabartë rajonal, reformat në sistemin arsimor, reformat thelbësore në shëndetësi, ambienti jetësor, pushtet lokal të fuqishëm dhe zhvillim rural janë karakteristika të konceptit shtet për të gjithë”, nënvizon ai.
Ndryshe, mënyra e vënies në funksion të shtetit dhe së drejtës është paraparë në kapitullin 23 dhe 24 të bisedimeve për anëtarësim me BE, që janë edhe dy shtyllat bazë të rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)