Shkup, 23 gusht – Prokuroria publike sot e dërgoi raportin për Katica janevën deri te Këshilli i prokurorëve publikë ku përfshihen detajet e procedurës së ngritur ndaj Janevës, detajet për hetimin që ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe arsyet për kërkesën për paraburgim. Kryetari i Këshillit, Kole Shterjev në bisedë telefonike për TV21 tha se nuk është i kënaqur nga raporti dhe se do të kërkojnë dokumente shtesë. Andaj ende nuk dihet se kur do të caktohet seanca për shkarkimin e Janevës, por jo zyrtarisht mësohet se kjo do të ndodhë javën e ardhshme.
“E morëm raportin, por nuk i morëm shkresat. Unë kërkova që dokumentet të na dorëzojnë me shkrim”, deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterjev.
Sipas Shterjevit që të emërohet u.d. prokuror publik special, së pari duhet të ketë shkarkim të tij, sepse, siç theksoi, nuk mundet njëkohësisht të ketë dy prokurorë publikë. Dje, kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se duhet të reagohet shpejt dhe të emërohet ushtrues i detyrës së prokurorit publik special, ndërsa sa më shpejtë që është e mundur të sillet Ligji i ri për Prokurorinë publike.
“Apeloj që Këshilli i prokurorëve publikë të veprojë sipas ligjit. Ligji nuk ndalon të emërohet ushtrues i detyrës së prokurorit publik special”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Menjëherë me reagim doli Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së i cili në profilin e tij të Facebook-ut shkroi:
“Nuk ka pengesa ligjore që të emërohet u.d. Prokuror special – deklaroi Zoran Zaev. Por në fakt ka….vetëm që Zaev nuk i njeh, ndërsa ata juristë rreth tij jam i sigurt se nuk i tregojnë, në të kundërtën le t’i grisin diplomat e tyre”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
Ligji për PPS-në parashikon që prokurori publik të mundet të shkarkohet nga funksioni për shkak të kryerjes së funksionit të tij në mënyrë të papërgjegjshme, joligjore dhe joprofesionale. Pas fillimit të procedurës për shkarkim, duhet në Kuvend të dërgohet raport për arsyet dhe bazat për këtë vendim. Pas propozimit të Komisionit të Kuvendit për çështje të mandatit dhe imunitetit pas marrjes së miratimit për 4 partitë politike, Kuvendi e miraton propozimin për shkarkimin me shumicën e 2/3 dhe shumicën e Badenterit.