Shtegtimi “pa biçikletë” nëpër shqetësimet e kohës

Shkas: “Pa biçikletë”, 2023, përmbledhje reportazhesh, udhëpërshkrimesh dhe rrëfenjash, nga autori Daut Dauti

 

Nga Nijazi Muhamedi

Përmbledhja me reportazhe nga Shqipëria e viteve ‘90, si dhe të një numri të përzgjedhur nga periudha të tjera, e autorit DAUT DAUTI, e kontekstualizuar në muajt para se të ndodhte hapja e kohës së pluralizmit politik dhe e rrëzimit të regjimit komunist, pra, në një ndërmjetkohë nga një shtendosje e regjimit që pretendonte ta mbante veten gjallë me një liri të vockël për qytetarët e saj brenda, me një liri ardhjeje dhe lëvizjeje e komunikimi poashtu jo aq të hapur për të ardhurit nga jashtë, është e një rëndësie të vlefshme, si për opusin e autorit, si për historinë e gazetarisë dhe të publicistikës shqiptare, por edhe me shumë interes edhe si një kronikë social-politike e kulturore, pa të cilën kjo ndërmjet kohë që e reflektojnë këto reportazhe, do mbetej e kuptuar, e zbërthyer dhe interpretuar në pikëpamje jo aq të hapur dhe jo aq e parë me një vrojtim dhe gjykim të paanshëm, i cili historisë së asaj ndërmjetkohe i jep një peshë gjykimi historik dhe me këtë është shtuar edhe rëndësia e tyre që të mbesin si referenca të pashmangshme për studimet e tashme dhe të ardhme sociopolitike të asaj ndërmjetkohe.

Advertisements

Vlerësia historike e tyre si referenca duhet parë nga këndvështrimi se autori i saj e ka pasur rastin dhe privilegjin që të kapë atë ndërmjetkohë me kërshërinë e pozitivizuar në mënyrë të prajshme.

Ky është horizonti që hapet në reportazhin e parë për “Atdheun e lidhur” dhe të penguar për të parë pjesët e tërësisë shqiptare jashtë tij, jo vetëm për brezin e autorit, por edhe për etërit e atij brezi dhe të brezit të etërve tanë dhe për brezin e viteve tona.

Shkuarja në Atdheun “e lidhur” dhe “të penguar” ka ndodhur vetëm “me kalë në ëndërr” për breza fëmijësh, pra, edhe për vetë autorin e reportazheve dhe del fare e kuptueshme pse në fillim të ciklit të reportazheve nga Shqipëria e vitit 1990, shtegtimi përtej ëndrrës, nis me një sekuencë, reminishencë autobiografike(ëndrra që kur të vijë dita me i ra kryq e tërthor me biçikletë vendit amë të ndaluar), që faktikisht përbën edhe një sekuencë reminishence autobiografike të brezit të autorit dhe më parë prej brezit të tij.

Në reportazhet vijuese, që përbëjnë një cikël prej 16 vazhdimesh, vazhdon udhëtimi përtej ëndrrës, udhëtimi i liruar nëpër Atdheun e ëndrrës së gjatë fëmijërore, të cilin autori e bën si LEXIM TË DLIRTË të Atdheut, të parë qetësisht si është dhe të përshkruar me penën e tij, i pandikuar nga “leximet” euforike dhe të ngurta të shtegtuesve të Atdheut para tij, dhe pikërisht kjo optikë autentike e reportazheve të tij u jep një rëndësi faktuese dhe të vlefshme për kuptimësimin historik objektiv të asaj ndërmjetkohe.

Autori këtij libri me reportazhe, Daut Dauti, me të cilin kemi ndarë bashkë momente bashkëpunimi me intervista të përbashkëta letrarësh dhe krijuesish të tjerë, e ka një ndjeshmëri të mprehtë për të kapur të befasishmen e njohur për të bërë fakt gazetaresk të vlefshëm dhe të shkruar për të mbetur.

Ky dorëshkrim pikërisht e ka të shpërndarë nëpër reportazhe dhe të lidhur në një gërshetë të “befasishmet e njohura” nga shtegtimi nëpër Atdhe të mbushura me përjetime, njohje, biseda të zhvilluara mes personaliteteve të takuara nga fusha letrare, kulturore dhe jo vetëm këto, po dhe vizita monumentesh kulturore në Tiranë dhe jo vetëm kaq, dhe prandaj në këto reportazhe janë të vlefshme edhe shumë copëza përgjigjesh, rrëfimesh të bashkëbiseduesve të Dautit në këto reportazhe, nga të cilat mund të përplotësohen shume shikime dhe lexime të Atdheut Shqipëri në atë ndërmjetkohë që është kontekstualizuar në këto reportazhe.

Në këtë dritë, përtej caqeve të reportazheve edhe ashtu të shkruar lirshëm, është një ditë bashkëbisedimi e zhvilluar në breg deti, në Durrës e Daut Dautit me poetin lezhjan tashmë i ndjerë, NDOC GJETJA, që ka elemente novele dhe autori mund ta marrë si fakt letrar për ta kthyer të rikompozuar në novelë të plotë.

Përtej mallëngjimit që më ka trazuar ky dorëshkrim si bashkudhëtar i Dautit për ngjarjet dhe përjetime kur kemi qenë bashkë protagonistë në këtë shtegtim të tij të liruar në Atdhe dhe përtej asaj që Faik Konica e quan “mall i stampës” që të trazon një libër nga një penë e stërvitur gazetarie bashkëkohaniku, kolegu, lexuesi që e ka tashmë në dorë këtë përmbledhje reportazhesh, ka rastin që leximin e kësaj përmbledhjeve ta përjetojë si një ‘festë shpirtërore mallëngjimi”, por edhe si një tufë njohurish sociokulturore për një ndërmjetkohë të Shqipërisë në vitin 1990… (koha.mk)