Shtatzënia mund të jetë një periudhë shumë e mahnitshme për çdo grua, por edhe sfiduese.
Kjo e dyta për shkak se sëmundja e mëngjesit është një nga aspektet më të pakënaqshme të shtatzënisë, shkruan Telegrafi, transmeton gazeta Koha.
Por, pavarësisht sa bezdisës mund të jetë fakti se duhet të villni në mëngjes dhe të ndiheni shumë e sëmurë, ne kemi një lajm shumë të mirë për ju: një studim ka zbuluar se hormonet të cilat i shkaktojnë këto simptoma janë të njëjtat që ndërlidhen me një zhvillim më të madh të trurit të fëmijës.
Çfarë do të thotë kjo saktësisht?
Hulumtimi i publikuar në revistën “The Journal of Pediatrics” ka zbuluar se të vjellat që ndodhin gjatë shtatzënisë janë shenjë e shkëlqyeshme e një inteligjence të lartë te fëmijët.
Veç kësaj, aq më i lartë që është intensiteti i të vjellave, aq më lehtë mund të parashikohet inteligjenca e fëmijës.
Studimi ka përfshirë 121 femra të cilat kishin mbetur shtatzënë mes viteve 1998 dhe 2003, ndërkaq nivelet e inteligjencës së fëmijëve ishin analizuar kur ata kishin qenë mes 3 dhe 7 vjeç.
Studimet tjera, siç është një i publikuar në revistën “JAMA Internal Medicine”, ka zbuluar se sëmundja e mëngjesit gjatë shtatzënisë është shenjë e mirë, pasi që ndërlidhet edhe me një rrezik më të ulët të abortimit. Me fjalë të tjera, kjo sëmundje ka funksion mbrojtës sepse nënkupton që nivelet e hormoneve janë të larta mjaftueshëm për ta mbajtur shtatzëninë.
Megjithatë, kjo është hera e parë që zbulohet se të vjellat janë indikator se sa i mençur do të jetë fëmija kur të lind.