Suksesi i pa krahasueshëm i arritur nga Ser Aleks Ferguson në çerek shekullin e tij në “Old Trafford” është mbresëlënës, por ish trajneri i Mançester Junajted pohoi se kishte humbur disa raste për të nënshkruar me një numër “yjesh” të futbollit botëror. Teksa Erik Kantona, Kristiano Ronaldo, Roj Kin dhe Edvin van der Sar erdhën të gjithë në epokën e Fergusonit, trajneri skocez është munduar të merrte në “Old Trafford” edhe disa yje të tjerë. Sulmuesi brazilian Ronaldo ishte një ndër objektivat e tij në vitin 1994, teksa ai deklaroi se e kishte parë fituesin e Kupës së Botës 2014, Tomas Mylerin që në moshën 10-vjeçare. Edhe dy “yjet” e Çellsit, Didier Drogba dhe Petr Çeh kanë qenë në radarët e Junajted. Në sezonin e tij të fundit në “Old Trafford” Ferguson humbi titullin ndaj rivalëve të Mançester Sitit, pas golit në minutën e fundit të Sergio Agueros ndaj QPR-së në javën e fundit të Premier Ligës. Por nëse gjërat do kishin shkuar ndryshe, Aguero mund të kishte veshur fanellën e kuqe të Junajted atë ditë. Ja cilët janë shtatë lojtarët që Fergusoni ishte shumë pranë nënshkrimit dhe arsyet pse nuk erdhën në “Old Trafford”.
Petr Çeh
“Në 2003-in shkova të shihje Petr Çeh në një ndeshje të Rennes ndaj Okser. Menduan që Petr ishte disi i ri në moshë për kampionatin anglez, por Petr nënshkroi më pas te Çellsi dhe në një dekadë që ai luajti për “blutë” ai arriti të mbante 220 herë portën e paprekur për klubin londinez”.
Didier Drogba
“Didier Drogba ishte një tjetër lojtar që mund të kishte luajtur për ne. Në atë kohë luante me Marsej dhe shkuam ta shihnim. Por klubi francez dëshironte 35 milionë euro për te, teksa Çellsi ndërhyri në negociata përpara se ne të vendosnim”.
Tomas Myler
“Herën e parë që dëgjuam të flitej për Tomas Myler, i cili shënoi pesë gola për Gjermaninë në botërorët e 2010-s dhe 2014-s, ishte në kohën kur ai ishte një djalosh 10 vjeçar i cili luante për një ekip amator disa kilometra larg Munihut”.
Ronaldo
“Ne dëshironim të nënshkruanim me sulmuesin brazilian në vitin 1994, kur ai luante me Kruizeiron, por nuk mundëm ti siguronim një leje pune kështu që ai shkoi te PSV-ja në Holandë”.
SergJo Aguero
“Kishim mundësinë të blinim Agueron përpara se ai të shkonte te Mançester Siti, por menaxheri i tij kërkonte një çmim që ne nuk ishim të gatshëm ta paguanim”.
Lukas Moura
“Në fund të karrierës time në “Old Trafford” po ndiqnim me interes Lukas Moura, mesfushorin e krahut, i cili në atë kohë luante për Sao Paulo në Brazil. Ne ofruam 33 milionë euro për të, dhe e rritëm ofertën deri në 45 milionë, por Paris Sen-Zhermen pagoi 63 milionë euro për të. David dhe unë nuk ishim të përgatitur të shkonim në të tilla nivele shpenzimesh”.
Rafael Varane
“Në 2011-n, mora trenin nga Euston për në Lille për të nënshkruar me mbrojtësin e ri francez Rafael Varane. David Gill po merrej me detajet e fundit të kontratës me Lens, klubin ku luante Varane, kur Zinedin Zidan ndërhyri dhe arriti të na i rrëmbente nga duart duke e çuar te Real Madridi. Mendoj se Hoze Murinjo, i cili ishte në atë kohë trajneri i Realit nuk e kishte parë kurrë Varane të luante”.