Gjatë viteve të kaluara, problem në vete paraqitej nëpër rrugët dytësore të Tetovës, ku të njëjtat për shkak të mospastrimit në kohë, shpeshherë bllokoheshin për qarkullim
Urim HASIPI
Tetovë, 14 janar – Periudha e dimrit jo rrallë herë në Tetovë dhe rrethinë kalon pa telashe. Kryesisht, viteve të kaluara janë hasur rrugë të bllokuar dhe të pakalueshme kur ka patur reshje të mëdha të borës. Edhe pse në këtë kohë nuk ka reshje të dendura, megjithatë nga Komuna e Tetovës thonë se kanë bërë përgatitjet e nevojshme që mos përsëriten situatat sikurse viteve të kaluara. “Komuna e Tetovës është e përgatitur për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit si në qytet po ashtu edhe nëpër fshatra. Për këtë vit nga ana e komunës janë ndarë 7 milionë denarë për këtë qëllim”, njoftuan për gazetën Koha, nga Komuna e Tetovës.
Gjatë kësaj kohe, gjendja paraqitet normale në fshatrat e Malësisë së Tetovës,m të cilat më së shumti kanë probleme gjatë kohës me borë, ku shpeshherë është dashur me ditë të tëra të pritet derisa rrugët të pastrohen për qarkullim dhe banorët të mund të lëvizin pa probleme. Kryesisht gjendja më e rëndë është paraqitur në fshatrat Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Sikurse viteve të kaluara, edhe këtë vit rrugët janë ndarë në tri kategori sipas prioriteteve. “Po ashtu janë përcaktuar edhe vendet ku do të vendoset rëra dhe kripa. Në drejtimin Shipkovicë –Bozovcë do të ketë tre vende apo tri pika, në drejtimin Tetovë-Vicë në dy vende dhe në drejtimin Xhepçisht-Gjermë një vend. Edhe në Kodrën e Diellit është përcaktuar një vend për furnizim. Ky furnizim bëhet që më lehtë të kemi gjatë dimrit që të mos vijnë automjetet deri në Tetovë të furnizohen dhe pastaj të shkojnë sërish në vendet malore për të hedhur të njëjtën. Në fillim do të pastrohen rrugët e prioritetit të parë që janë shkollat, policia, spitali dhe institucionet tjera, kurse më pas janë edhe rrugët e prioritetit të dytë dhe të tretë” thonë nga Komuna e Tetovës.
Për mirëmbajtjen e rrugëve në Tetovë dhe rrethinë, sipas autoriteteve lokale, në dispozicion do të jenë edhe makineri e sofistikuar. “Për këtë vit janë paraparë të shfrytëzohen diku rreth 7 milionë denarë mjete të cilat besojmë do jenë të mjaftueshme për mbulimin e gjithë territorit të Komunës bashkë me fshatrat, ndërkohë që në dispozicion do të jenë edhe makineri e sofistikuar përfshirë këtu kamion hidraulik me pjesën solare, ekskavator dhe mjete tjera transportuese, ndërkohë që janë paraparë që të kemi në dispozicion edhe 100 metër kub rërë si dhe 350 tonelata kripë industriale”, informojnë nga Komuna e Tetovës.
Në ndërkohë informohet se rëra do të përdoret jashtë qytetit, nëpër vendet ku nuk ka kanalizim atmosferik, kurse në qytet do të përdoret vetëm kripë. Gjatë viteve të kaluara, problem në vete paraqitej mirëmbajtja e rrugëve dytësore të Tetovës, ku të njëjtat për shkak të mos pastrimit në kohë, shpeshherë bllokoheshin për qarkullim, por edhe për shkak të parkimit të veturave nëpër pjesët anësore të rrugëve që e vështirësojnë intervenimin e makinerisë gjatë pastrimit të rrugëve. (koha.mk)