Shkup, 25 korrik – Zëvendësministrja e Financave, Shiret Elezi, drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në vend, Marko Mantovaneli dhe kryetarët e shtatë komunave sot nënshkruan marrëveshje për financimin e projekteve kapitale, njofton Koha.mk
Marrëveshjet janë nënshkruar prej komunave Çuçer Sandevë, Vrapçisht, Bogovinë, Dellçevë, Kërçovë, Shutor Orizare dhe Makedonski Brod, përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale që e zbaton Ministria e Financave me mbështetjen e Bankës Botërore. Krahas këtyre komunave shpejtë do të nënshkruhen marrëveshje edhe me Tetovën dhe Demir Hisarin. Elezi informoi se vlera e përgjithshme e projektit është 176,9 milionë denarë apo 2,8 milionë euro.
“Përmes këtyre mjeteve janë paraparë rikonstruimi i rrugës në Komunën e Çuçer Sandevës ndërtimi i dy stacioneve për filtra për ujë të pijshëm në Komunën e Vrapçishtit, furnizimi për mekanizimin e Ndërmarrjes Publike Komunale në Komunën e Bogovinës, ndërtimi i bulevardit në Tetovë, ndërtimi i objekteve shoqëruese dhe shërbyese në varrezat e qytetit në Dellçevë, ndërtimi i rrethrrotullimeve në Kërçovë, rikonstruimi i rrugës në Makedonski Brod, ndërtimi i fushës së lojërave në Komunën e Shuto Orizares dhe furnizimi i një automjeti zjarrfikës në Komunën e Demir Hisarit”, tha Elezi. Siguroi se përmes sigurimit të mjeteve financiare për projekte kapitale sigurohen kushte më të mira për jetën e qytetarëve në këto komuna.
Një pjesë e mjeteve janë hua me interes jashtëzakonisht të ulët dhe të volitshëm, ndërsa një pjesë janë mjete të grantit.
Mantovaneli kumtoi se mbi një dekadë punojnë në partneritet me Ministrinë e Financave dhe me komunat për të ndihmuar në përforcimin e transparencës, qëndrueshmërisë financiare dhe realizimin e shërbimit.
“Shërbimet komunale dhe projektet të cilat filluan në vitin 2009 vazhduan me rifinancimin më të ndryshëm me çka u mobilizuan mbi 72 milionë euro për vetë komunat duke përfshirë edhe grant prej rreth 15 milionë euro që erdhi drejt nga Komisioni Evropian. Këto fonde përdoren edhe për mbështetje dhe për zgjedhjen e komunave përkatëse dhe ndërmarrjeve komunale që mund të implementojnë projekte me qëllim të përforcimit të shërbimeve komunale”, tha Mantovaneli.
Ai paralajmëroi se 25 milionë euro do të jenë në dispozicion për komunat në të ardhmen, përmes mekanizmit të njëjtë. Tha se do të angazhohen për sigurimin e fondeve në nivel lokal. Sipas tij, nevojiten financa të reja për reforma dhe që të përfundojë procesi i decentralizimit në shtet. (koha.mk)