Nga Naum MARA
Njerëzit që shfaqen si nacionalistë nuk janë të pakët, ata herë pas here madje shtohen dhe bëhen të zëshëm. Mara sjell një doracak të cilësive të tyre, një doracak i cili shpjegon shumëçka mbi këtë kategori njerëzish. Pas disa sulmesh nga anonimë dhe joanonimë, (që janë po njëlloj se kanë emra të rremë), mësova se ç’duhet të bësh për të qenë “nacionalisht korrekt” në atdhe, se “politikisht korrekt” është tmerrësisht e vështirë të jesh. Për t’ju ardhur në ndihmë edhe të tjerëve, që shkruajnë ose hyjnë në debate patriotike në kafetë e ish-Bllokut, të Ksamilit apo të Kaçinarit, pas shumë studimesh të frymës sonë patriotike në vite, u mundova të përpiloj një doracak me 7 pika të domosdoshme për t’u zbatuar:
VISHU KOMBËTARÇE. Të paktën një herë në javë dhe gjatë festave fetare dhe kombëtare të përdoret në veshje një takije, plis, xhamadan ose xhubletë. Shenja e shqiponjës para gjoksit, të bëhet rregullisht në udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Për sezonin e plazhit rekomandohen tatu të përkohshme ose të përhershme të shqiponjës dykrenore në pjesët më të dukshme, pa përjashtuar edhe ato erotike.
URRE FQINJËT. Edhe nëse vërtet nuk i urren, thirr me zë të lartë, që serbët janë kriminelë të lindur, grekët shovinistë të paepur dhe dembelë, maqedonasit kokëtrashë dhe pa identitet, shkjajtë malazezë të pagdhendur dhe barbarë, rumunët të pabesë dhe Italianët breshkaxhinj e mafiozë.
NGRI NË QIELL SKËNDERBEUN. Sa herë të përballesh me turqit, ose të diskutosh për ta, kujto se si i shpartalloi Skënderbeu për 25 vjet dhe kërkoju dëmshpërblim për 5 shekuj robërie, edhe pse nuk di nëse ishim më veti 600 vjet më parë apo ishim njëlloj të robëruar.
SULMO TË DOBËTIT. Konsidero si qenie inferiore jevgjit, ciganët, çeçenët, ujgurët, kurdët, afganët, sirianët, afrikanët dhe të gjithë hallexhinjtë e tjerë që kapërcejnë male e dete për të shpëtuar dhe mos lërë rast pa i fyer dhe përbuzur. Homoseksualëve dhe transgjinorëve bëj përpjekje t’ju hiqet nënshtetësia shqiptare.
KËNDO ÇDO MËNGJES “O SA MIRË ME KEN SHQIPTAR”. Menjëherë pas larjes së dhëmbëve dhe bërjes së gargarës, fillo të këndosh “O sa mirë me ken shqiptar”, në vargjet e të cilës ke dhe kuptimin e thellë se pse je patriot.
PROTESTO ÇDO NËNTOR PËR ÇMIMIN NOBËL NË LETËRSI. Si pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare duhet të jetë protesta ndaj Akademisë së Stokholmit për mosdhënien e çmimit Nobël, shkrimtarit më të madh në botë, Ismail Kadaresë, paçka në i kemi lexuar apo jo ndonjë rresht.
KUJTO ME MALL KUR ISHIM “FANAR NDRIÇUES PËR GJITHË BOTËN”. Kujto me nostalgji kohën kur ishim në qendër të vëmendjes botërore dhe ju jepnim mend të gjithëve dhe popujt nëpër botë na shikonin me admirim. Është shkalla më e lartë e patriotizmit.