Shoqata e studentëve të diplomuar nga universitetet turke në Maqedoni u bëri thirrje të gjithë personave të cilët janë të prekur me prishjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë të diplomave me Turqinë, t’u besojnë vetëm informatave të dhëna nga institucionet zyrtare. “Vërejtëm se lajmet lidhur me pezullimin e Marrëveshjes bilaterale për njohje të ndërsjellë të çertifikatave, diplomave, kualifikimeve, shkallëve shkencore dhe titujve të fituar në Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Turqisë, nga ana e Republikës së Turqisë krijoi brengë në qarqet arsimore dhe midis studentëve dhe prindërve. Nga momenti kur këto lajme u publikuan, Shoqata e studentëve të diplomuar nga universitetet turke i ndërmori hapat e domosdoshëm dhe i kontaktoi institucionet edhe në shtetin tonë dhe në Republikën e Turqisë”, thuhet në kumtesën e sotme.
Bashkëkryetarët e Shoqatës, Ismail Aliji dhe Xheladin Xhuli theksojnë se studentët duhet të qëndrojnë të qetë dhe t’i marrin parasysh vetëm informatat e publikuara nga institucionet zyrtare. “Duke i pasur parasysh dezinformatat që janë të pranishme në opinion, dëshirojmë ta theksojmë rëndësinë që të qëndrojmë të qetë dhe ju bëjmë thirrje që të mos i merrni parasysh shpjegimet, përveç atyre të dhëna nga ana e institucioneve zyrtare”, thonë Aliji dhe Xhuli. Nga Shoqata paralajmërojnë se do të vazhdojnë të punojnë në zgjidhjen e të gjithë problemeve me të cilët ballafaqohen të diplomuarit dhe studentët e universiteteve turke.