Shqiptari nga Kosova krijon aplikacion inovativ në Londër

Asdren Zhubi strateg i marketingut ka krijuar një aplikacion inovativ në Londër .

Zhubi beson se interneti është i mbushur me faqe që këshillojnë njerëzit çfarë të bëjnë ose çfarë të blejnë. Aplikacioni që ka krijuar ai, “Rekit” është e kundërta e saj.

“Rekit” është një aplikacion i rekomandimeve për komunitetet, bazuar në interesin e tyre dhe ua mundëson përdoruesve që të pyesin apo të rekomandojnë për gjërat e përditshme.

E mira e këtij aplikacioni është se gjithmonë mund të gjeni atë që kërkoni – pas një dite, një muaji apo një viti, transmeton Koha.net.

Themeluesit e “Rekitit” janë të përqendruar në përhapjen e aplikacionit në Londër, ndërsa më vonë synojnë të zgjerohen në Europë, Amerikë dhe Australi, vende në të cilat apetiti për rekomandime është në rritje.

Zhubi jeton në Londër që prej vitit 1992 dhe kompania është e bazuar në Londrën Perëndimore. Së bashku me David Kausman kanë një ekip prej 10 personash që kanë dizajnuar dhe zhvilluar aplikacionin në Londër dhe në Prishtinë.