Ndodh edhe kështu, që një person të arrestohet dy herë gabimisht. Është historia e një shtetasi shqiptar, i cili është arrestuar dy herë gabimisht në Bari të Italisë dhe në Greqi. Shtypi italian shkruan se bëhet fjalë për 22-vjeçarin Klevis Bregu që mbërriti disa ditë më parë në Bari nga Shqipëria për të vizituar babanë e tij, i cili ndodhet në burg për trafik droge. 22-vjeçari është ndaluar në port pasi autoritetit ishin njoftuar për një mandat arresti për trafik droge të lëshuar nga Gjykata e Breshias në 2016. Por siç thonë mediat italiane ky urdhër-arrest ishte i pavlefshëm, megjithatë ai ka qëndruar dy ditë në burg. Sipas mediave italiane, pasi është liruar nga burgu shqiptari është ndaluar sërish në portin e Igumenicës në Greqi me të njëjtin urdhër-arresti europian, por që tashmë ishte i pavlefshëm. Edhe në Greqi ai kaloi dy ditë në burg. Më pas Klevis Bregu u lirua sërish dhe më pas nisën procedurat për kthimin e tij në Shqipëri.